E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSG, ëndrra që u realizua

Zlatan Ibrahimovic edhe zyrtarisht është lojtar i Paris Saint Germainit. Sulmuesi suedez ka nënshkruar kontratë trevjeçare me 14 milionë euro në sezon, përfshirë edhe bonuset. 30 vjeçari ndihet krenar që iu bashkua gjigantit francez dhe thotë se iu plotësua një tjetër ëndërr. Ai beson se me PSG-në do të fitojë trofe të shumtë.

Zlatan Ibrahimovic është prezantuar edhe zyrtarisht në Paris Saint Germain të mërkurën, pas disa ditë bisedimesh intensive ndërmjet palëve.

Sulmuesi suedez i ka kushtuar 20 milionë euro gjigantit francez, një shumë kjo jo fort e madhe në krahasim me Thiago Silvan, pasi që ‘Ibra’ kishte kontratë më afatshkurtër me Milanin.

Mirëpo, ish futbollisti i Malmos, i Ajaxit, i Juventusit, i Interit dhe i Barcelonës do të paguhet shumë më tepër sesa mbrojtësi brazilian.

E përditshmja franceze ‘Le Parisien’ shkruan se rroga e tij do të jetë 12,5 milionë euro, e cila mund të rritet deri në 14, me bonuse.

Me këtë rast, futbollisti me prejardhje boshnjake do të paguhet më shumë se yjet e futbollit botëror si Lionel Messi (10,5) dhe Cristiano Ronaldo (13). Zlatan ka folur për herë të parë si lojtar i ri i PSG-së.

“Para se të filloj, më duhet ta falënderoj PSG-në për punën e madhe që ka bërë. E kanë bërë të mundshme një gjë që dukej e pamundshme. Jam i lumtur, më në fund jam lojtar i PSG-së. Është një tjetër ëndërr që u realizua. Jam mjaft i lumtur për klubin dhe për tifozët”, deklaroi fillimisht 30 vjeçari, i cili tha se është krenar që e veshi fanellën e Milanit, për të cilin ekip shton se do të ketë suksese edhe pa të.

“Sapo kam ardhur këtu, e kam kuptuar se sa i rëndësishëm ishte ky transferim, si në nivelin mediatik, ashtu edhe në përgjithësi. Është një projekt mjaft interesant dhe dëshiroj të jem pjesë e tij. Kur zyrtarët e PSG-së e kanë kontaktuar menaxherin tim, nuk e dija nëse ishte e mundshme të konkretizohej projekti. Por, shkoi kështu, jam i lumtur, kam ardhur këtu për të fituar dhe e di se do ta shkruajmë historinë me këtë projekt. Do të zbavitemi me trofetë që do t’i sjellim në shtëpi”, shtoi Ibrahimovic i cili dukej mjaft optimist.

I lumtur për transferimin e përfaqësuesit suedez ishte edhe pronari i PSG-së, Nasser al Khelaifi.

“Besojmë se ky transferim, si të gjithë të tjerët që i kemi bërë, është pozitiv për tërë futbollin. Jemi të nderuar me arritjen e Ibras”, ka thënë Al Khelaifi.

Edhe drejtori sportiv, Leonardo, e ka shprehur kënaqësinë e tij për përforcimin me Ibrahimovic dhe Verratti.

“PSG tash bën pjesë te klubet e rëndësishme të Evropës. Ndihemi krenarë që tashmë jemi në nivel të klubeve të rëndësishme. Sot jemi shumë më të fortë sesa në të kaluarën. Jemi krenarë që emri i PSG-së krahasohet me emrat e klubeve nga qytetet tjera të rëndësishme”, theksoi Leonardo.

Ndërkohë, kishte prej atyre që ishin kundër këtij transferimi, por edhe të shpenzimeve marramendëse të klubit francez.

Për ish ministren e Sportit, Roselyne Bachelot, rroga e Ibrës është diçka e pakapshme dhe e pakuptimtë në një kohë krize si kjo.

Sidoqoftë, PSG është klubi më aktiv në Evropë në afatin kalimtar të verës. Ky ekip ka transferuar lojtarë të mëdhenj si Lavezzi, Verratti, Thiago Silva e Ibrahimovic.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›