PSG ndez motorët

Paris Saint Germain po tregohet ekipi më aktiv i afatit kalimtar të janarit, duke e lënë në hije Manchester Cityn, i cili dominoi në transferimin e lojtarëve të mëdhenj në 2-3 vitet e fundit.
Edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare, klubi francez pritet të bëjë ‘goditje’ të mëdha gjatë këtij muaji. Pasi e angazhoi trajnerin e njohur italian, Carlo Ancelotti, klubi nga kryeqyteti francez ka nisur t’i ndezë motorët.
PSG, i cili muaj më parë ra në duar të miliarderëve nga Katari, ia ka mësyrë dyshes braziliane, Leite Kaka-Alexandre Pato. Sipas agjencisë France Presse, PSG i ka vendosur në pjatë 61 milionë euro, për ta transferuar dyshen jug-amerikane.
Për mesfushorin e Real Madridit, drejtori sportiv Leonardo ka bërë gati 24,5 milionë euro, kurse për sulmuesin e Milanit, gjiganti francez ka ndarë 38 milionë. Deri tash, Rossonerët kanë rezistuar për yllin e tyre, por shifra e përafërt me 40 milionë, mund t’ia ndërrojë mendjen presidentit Silvio Berlusconi, i cili e ka në ‘penall’ sulmuesin argjentinas të Manchester Cityt, Carlos Tevez.
Kaka dhe Pato nuk janë të vetmit që kërkohen nga klubi francez. Ish-trajneri i Milanit dhe Interit, Leonardo, përpos bashkëkombësve të vet, po mundohet ta bindë edhe David Beckhamin, që të zbarkojë në Francë.
“Beckham duhet të vendosë nëse dëshiron t’ia ndryshojë jetën tërë familjes, duke u përshëndetur me Los Angelesin. Unë e çmoj shumë si lojtar, por edhe si prind. Kemi kohë, ta lëmë të qetë”, ka thënë Leonardo. Për mesfushorin e njohur anglez, PSG ka bërë gati një rrogë prej 800 mijë eurosh në muaj, me një kontratë prej një viti e gjysmë.
Gjithashtu, trajneri Ancelotti ka thënë se do të punonte me kënaqësi sërish me dy lojtarët me të cilët ishte së bashku në Chelsea, Florent Malouda dhe Didier Drogba. I pari ka gjasa që t’i bashkohet atij në Paris qysh në janar, kurse i dyti, paksa më vështirë. Gjatë verës që shkoi, PSG transferoi lojtarë të mëdhenj si Pastore, Menez dhe Sissoko.
Me transferimet që planifikon t’i bëjë, Paris Saint Germain pritet të bëhet ekip serioz në Francë, por edhe në Evropë. Aktualisht, PSG prin në kampionatin francez, Ligue 1 dhe është favorit për ta fituar titullin e kampionit.