E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaka, objektiv i gjigantëve

Granit Xhaka po e ndjek rrugën e Xherdan Shaqirit. Mesfushori kosovar është bërë objektiv i shumë skuadrave të njohura evropiane. Për 19-vjeçarin, interesim kanë shfaqur Manchester United, Bayern Munich, Hamburg, Milan e Lazio. Madje, ‘Djajtë e Kuq’ e kanë veçuar futbollistin e Baselit si alternativë të Wesley Sneijderit. Vlera e përfaqësuesit zviceran sillet rreth 10 milionë euro.

Popullariteti i Granit Xhakës sa vjen e shtohet. Futbollisti kosovar ka filluar të bëhet objektiv i disa skuadrave të njohura evropiane, pas shpërthimit të tij në vitin 2011. E përditshmja britanike, Metro shkruan se ekipi i fundit që ia ka vënë syrin mesfushorit të Baselit është Manchester Unitedi.

Klubi nga Old Traffordi është i gatshëm ta bëjë një ofertë e cila do ta kënaqte si futbollistin, ashtu edhe kampionin zviceran. Mirëpo, për të ardhur deri tek shërbimet e përfaqësuesit zviceran, gjiganti britanik duhet t’i mposht konkurrentët, jo të paktë.

Për Xhakën, interesim kanë shfaqur edhe Hamburgu, Lazio, Milani dhe Bayern Munich. “Manchester United do të jetë mjaft aktiv gjatë këtij muaji. Njëra prej dëshirave të menaxherit Sir Alex Ferguson është edhe futbollisti Granit Xhaka”, shkruan Metro.

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, vlera e kartonit të Xhakës sillet rreth 10 milionë euro. Natyrisht, ‘Djajtë e Kuq’ kanë prioritete të tjera, por edhe futbollisti prishtinas mbetet objektiv i rëndësishëm. Mjafton fakti, të shikohet se alternativë e kujt është talenti kosovar.

“Dëshira më e madhe e Man United është Wesley Sneijder. Holandezi është prioritet i Fergusonit. Por, nëse dështon kjo pistë, atëherë ekipi nga Old Trafford do t’ia mësynte më konkretisht Granit Xhakës”, vazhdon shkrimi.

19-vjeçari, dikur kampion i botës me Zvicrën U-17, në vitin 2011 u bë lojtar i rëndësishëm i Baselit, duke e ndihmuar drejt triumfit në AXPO Super League dhe në Kupën e Zvicrës. Po ashtu, Xhaka e ndihmoi Zvicrën U-23 që të shpallej nënkampion i Evropës, duke shkuar deri në finale, ku u mposht nga Spanja.

Xhaka nuk u ndal me kaq. Ai u bë lojtar i rëndësishëm edhe në Kombëtaren A të Zvicrës, duke luajtur edhe ndaj një ekipi të madh si Anglia. Bashkë me Xherdan Shaqirin, Granit Xhaka është bërë njëri prej lojtarëve më të kërkuar shqiptarë të afatit kalimtar të janarit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›