PS:Topalli të japë publikisht shpjegime për pasurinë
Partia Socialiste i ka kërkuar kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli të japë publikisht shpjegime për pasurinë e saj.
Deputetja e PS-së, Shegushe Ligori pohoi se Topalli është pasuruar në kohën kur shqiptarët vuajnë krizën ekonomike. Sipas saj kryeparlamentarja , nuk guxon të japë llogari për pasurinë, por fshihet pas militantëve të Kuvendit.
"Topalli ka shtuar pasurinë e saj me 33 milionë lekë vetëm nga të ardhurat e saj si kryetare Kuvendit. Duke pretenduar se jeton në Shkodër ajo merr 11 milionë lekë në vit, përafërsisht sa 100 pensione", tha Ligori.
Sipas Ligorit, PS kërkon të bëhet transparence se çfarë shkon në mënyrë të jashtëligjshme në xhepat e Topallit. "Dietat e saj na japin të kuptojmë se pse ajo na flet për rritje ekonomike në krizë ekonomike", shtoi ajo.
"Ne përsërisim që kryetarja e Kuvendit të dalë publikisht dhe të shpjegojë se pse shqiptarët duhet të paguajnë 11 milionë e 178 mijë lekë për udhëtimet e Topallit në Shkodër ", përfundoi Ligori.