Ligori: Topalli abuzon me dietat. Kuvendi: Paguhet si paraardhësit
Mes deputetes së Partisë Socialiste, Shegushe Ligori dhe Kryeparlamentares Jozefina Topalli u shkëmbyen dje replika të ashpra në lidhje me pagat dhe dietat. Fillimisht ishte deputetja socialiste e cila e akuzoi Topallin se po përfiton dieta tepër të larta, duke përdorur pozicionin që ka dhe se është politikania me rrogën më të lartë në të gjithë vendit. Sipas Ligorit, Topalli deklaron se jeton në Shkodër për të përfituar më shumë dieta, kur nga ana tjetër e vërteta është se ajo jeton në kryeqytet.
“Pasurimi i zonjës Topalli jo vetëm që është një shuplakë për të gjitha vështirësitë e qytetarëve të thjeshtë, por mënyra në të cilën ajo i përfiton këto fonde të taksapaguesve është plotësisht abuzive ndaj procedurave të shtetit dhe çdo rregulli moral. Topalli përfiton dieta nga Kuvendi, dieta për 11 milionë e 178 mijë lekë, ose 11 milionë e dy pensione”, deklaroi deputetja e PS-së. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, nëpërmjet administratës së Kuvendit. Në një njoftim për shtyp theksohet se Topalli hedh poshtë me përbuzje si të turpshme e qesharake shpifjet e Edi Ramës përmes Shegushe Ligorit. “Znj. Ligori ende nuk e di se Kryetari i Kuvendit nuk firmos për asnjë lek. Kryetari firmos vetëm ligje, rezoluta, vendime e marrëveshje të miratuara nga seanca plenare”, thekson Topalli. Sipas saj, për sa u përket dietave, administrata sqaron se Kryetari i Kuvendit paguhet bazuar në ligjin “Për statusin e deputetit”, ashtu siç paguhen edhe deputetët socialistë. Nga ana tjetër, Topalli thekson se ajo është e hapur për transparencë të mëtejshme në lidhje me akuzat e socialistëve.
#