PS:Topi të mos dekretojë ligjin e tokave
TIRANE- PS kërkon rishikimin e menjëhershëm të ligjit të tokave, ndryshimet e të cilit u miratuan tre ditë më parë nga Kuvendi. Sipas socialistëve ndryshimet në ligjin e tokave janë antikushtetuese. Ajo kërkon rishikimin e menjëhershëm të këtij ligji në interes të zgjidhjes përfundimtare të problemit, duke e konsideruar atë të nxituar . “Ky është një ligj, që jo vetëm do të rrisë konfliktin social në vend, mes atyre që do t'u merret toka me ata të tjerët që do t'u jepet, por vetë personat e rrezikuar nga ky "shtetëzim" modern kanë kërcënuar se nuk e lëshojnë tokën e tyre”- deklaroi deputeti socialist. Sipas tij nëpërmjet këtij veprimi në këtë kohë krize maxhoranca, kërkon t'u shkaktojë shqiptarëve një krizë të re. “Nëse kjo qeveri po zhvesh nga të drejtat e fituara më parë këta qytetarë në emër të ish-pronareve, ky është veçse mashtrimi i rradhës, pasi ka 5 vjet që ajo as i ka kthyer pronat, dhe thjesht po bën pronarë klientët e saj dhe të familjes në pushtet.”- theksoi deputeti i PS. Socialistët deklarojnë se para diskutimit dhe miratimit të këtij ligji në Kuvend, nuk janë bërë konsultimet e nevojshme me grupet e interesit, pronarët e ligjshëm (të cilët edhe ata kanë reaguar menjëherë), banorët që i kanë aktualisht në përdorim këto prona, por edhe me gjithë spektrin e politikës shqiptare, për një konsensus sa më të gjerë në zgjidhjen përfundimtare të këtij ngërçi gati 20-vjeçar. Në këtë kuadër zoti Toçi, i bëri thirrje Presidentit Bamir Topi, "të mos e dekretojë këtë ligj . “I kërkojmë Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë këtë ligj që u rrëmben tokën dhe i hedh në rrugë njerëzit në nevojë, pa u diskutuar më parë me grupet e interesit, për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare këtij problemi që ka penguar dhe bllokuar zhvillimet normale të vendit, në mënyrë të veçantë në fushën e turizmit dhe bujqësisë.”(m.a/BalkanWeb)