PSV 91 në koalicionin me LSI në zgjedhje
Partia Socialist e Vërtetë 91 hyri në zgjedhjet e 28 qershorit në Koalicionin për Integrim me LSI-në, por nuk mundën të marrin asnjë mandat deputeti dhe pse në shkallë vendi arritën të marrin më shumë se 7 mijë vota. Kryetari i saj, Petro Koçi ishte mjaft i ashpër gjatë fushatës me kryetarin socialist Edi Rama, të cilin e ka karakterizuar si diktator në PS, njeri që nuk lejon mendimin ndryshe nga ai. Por pa dalë mirë rezultati zgjedhor, Koçi dha dorëheqjen nga drejtimi i PSV91 për shkak të rezultatit të dobët krahasuar me atë që kjo parti priste të merrte në zgjedhje dhe pse akuzoi PS se ka tjetërsuar votat e partisë, që ai drejton në qendrat e numërimit të votave. Forumet drejtuese të kësaj partie pranuan kërkesën e tij për dorëheqje, por i kërkuan atij të qëndrojë në detyrë deri në mbledhjen e kongresit zgjedhor të kësaj partie. Por pak ditë më parë, një grup anëtarësh të kryesisë së PSV 91 mandatoi Gjergj Kojën si kryetar të kësaj partie deri në mbajtjen e kongresit.