Universitetet, përfundon llogaritja e pikëve, priten kontestimet e maturantëve për të dhënat
Përfundon llogaritja e pikëve për të fituar të drejtën ndjekjes së universitetit. Burime nga Agjencia e Pranimeve në Universitete (APRIAL), bëjnë të ditur se aktualisht procesi i llogaritjes së pikëve është mbyllur dhe priten vetëm rezultatet e konkursit për kandidatët e Arkitekturës si dhe kontestimet e maturantëve për të dhënat e tyre. Këto të fundit, maturantët mund t’i bëjnë duke plotësuar Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive që është përgatitur për të evidentuar kontestimet e maturantëve rreth pasaktësive që mund të gjejnë në Librin e Transparencës për të dhënat e tyre. Pritet që ky formular të shpërndahet në gjimnaze brenda kësaj jave. Secili maturant që konstaton një pasaktësi, ka të drejtë të plotësojë këtë formular duke kërkuar korrigjimin e pasaktësisë. Por, kjo kërkesë duhet të konfirmohet zyrtarisht nga drejtoria e shkollës dhe Drejtoria Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore (DAR/ZA), pasi këto institucione të arsimit kanë të drejtën dhe përgjegjësinë e verifikimit të dokumentacionit shkollor. Ky formular bën pjesë në të dhënat e çdo maturanti. Pra, APRIAL-i, për secilin prej maturantëve disponon në kompjuter jo vetëm të dhënat e gjeneraliteteve, notave, por dhe imazhin e formularit A2 si dhe imazhin e këtij formulari, për ata që e kanë plotësuar. Sipas afateve të përcaktuara nga MASH-i, deri më 3 shtator, APRIAL-i do të presë formularët e korrigjimit të pasaktësive. Pas kësaj, do të jenë disa ditë pune për të saktësuar e përfunduar bazën e të dhënave të të gjithë maturantëve kandidatë për studime në universitete, ku nuk do të bëjnë pjesë ata që kanë ngelur në provimet e Maturës Shtetërore 2009. Vetëm pas saktësimit të bazës së të dhënave, do të futet në punë programi kompjuterik për të përcaktuar fituesit në të gjithë programet e studimit të universiteteve shqiptare. Pas kësaj, APRIAL-i do të përgatisë listat e fituesve për secilin program studimi dhe do t’i shpërndajë ato në formë elektronike dhe “hard copy” në të gjitha universitetet. Ditën e zhvillimit të provimeve me zgjedhje, çdo maturant është pajisur me një udhëzim për procedurat e regjistrimit paraprak e përfundimtar në universitete. Sipas afateve që do të përcaktojë MASH-i, çdo maturant që shpallet fitues në një program studimi, duhet të regjistrohet në atë program, i pëlqen ose jo, është preferenca e tij e parë apo e dhjetë. Kjo për arsye se, të gjithë ata maturantë që nuk do të regjistrohen, do të konsiderohen se nuk janë në Shqipëri për studime dhe rrjedhimisht do të “fshihen” nga lista. Pasi nga fakultetet të merren kandidatët e regjistruar, këta bashkë me ata që nuk kanë fituar do të rifuten në konkurrim për të drejtën e studimit. Lista e fituesve pas kësaj faze, do të jetë lista e fituesve përfundimtarë.
25 Gusht 2009