Koçi: PS, platformë bashkimi
Aristir Lumezi
Petro Koçi kërkon nga kongresi i PS një platformë bashkimi të socialistëve. Kreu në detyrë i PSV ’91, gjatë një prononcimi për mediat, deklaroi se PSV ‘91 është gati të bëjë aleancë me PS-në nëse kongresi i 29 gushtit miraton platformën bashkëpunuese. Sipas tij, kjo lëvizje nuk kushtëzohet nga emri i kryetarit të ardhshëm të PS-së. “Nuk mendoj se është koha për të folur për shkrirje, por është koha për bashkimin e socialistëve. Mendoj se kjo do të varet shumë nga kongresi. Gjithë vëmendja e së majtës duhet të përqendrohet tek kongresi i PS. E ritheksoj, për ne nuk është e rëndësishme se kush do të mbetet kryetar. Gjithçka do të varet shumë nga platforma që do të miratohet. Ka nevojë për t’u riparë shumë gjëra, për t’u rishikuar disa qëndrime dhe sjellje brenda PS. Nga kjo thellësi rishikimi mendoj se do të varet dhe e ardhmja e socialistëve”, u shpreh Koçi. Ky qëndrim i Petro Koçit ka shkaktuar reagim të ashpër në radhët e PSV 91. Gjergj Koja e konsideroi këtë qëndrim personal të tij dhe jo të partisë, ndërsa shpjegon se bashkëpunimi me PS është kushtëzuar nga largimi në drejtimin e saj i Edi Ramës. Qëndrimi i Petro Koçit për bashkimin e PSV 91 me PS është personal dhe aspak i PSV 91. “Ne kemi deklaruar se do ta rishikojmë qëndrimin tonë ndaj PS vetëm pas largimit të Ramës dhe rikthimit të demokracisë së brendshme atje. Ndërkohë, mbështesim koalicionin e LSI-së. Interesimi i Koçit ndaj kongresit të PS-së është i çuditshëm. Kjo është tradhtia e dytë e Petros ndaj PSV 91 pas aktit të pakuptimtë të dhënies së dorëheqjes së tij”, u shpreh Koja. Lidhur me garën për kryetar që zhvillohet në PSV 91, Koçi tha se “partia që ai ka themeluar duhet ta rizgjedhë kryetarin e saj nëpërmjet procedurave demokratike”. “Unë kam dhënë dorëheqjen si kryetar i partisë. E kam deklaruar atë dhe kjo është e parevokueshme, por mendoj se për të zgjedhur kryetarin e ri nuk ka nevojë për stisje, të cilat vijnë në kundërshtim me statutin e partisë”, thotë Koçi.