Arrestohen kosovarët, shkonin në Itali me dokumente false
Durrës – Dy kosovarë janë arrestuar dje nga forcat e Policisë Kufitare në Durrës sepse tentuan të kalonin me traget drejt Italisë me dokumente të falsifikuara. Adnan Emini, 26-vjeç, nga komuna e Vitisë dhe Idriz Çerkezi, 34-vjeç, nga komuna e Obiliqit, janë arrestuar pasi në pikën e kontrollit kufitar paraqitën një leje zvicerane qëndrimi dhe një pasaportë jugosllave, të cilat nga verifikimet e para dyshohet se janë të falsifikuara. Burime nga policia thanë se pas konstatimit të dokumente të cilat u dyshuan si false, u morën masa për shoqërimin e dy kosovarëve. Policia e kufirit kreu shoqërimin dhe më pas ndalimin e dy kosovarëve të cilët do të merren në pyetje.
Ndalohen të rinjtë, u kapën në flagrancë me Cannabis
Tiranë - Specialistët e seksionit kundër drogës pranë Policisë së Tiranës kanë realizuar arrestimin në flagrancë të dy të rinjve të cilët posedonin qese farmaceutike me bimën Cannabis sattiva.
Sipas të dhënave policore, 21-vjeçari Enis Tela, lindur dhe banues në Tiranë, u kap në flagrancë duke i shitur lëndë narkotike një personi, i cili do të hetohet në liri. Nga kontrolli personal i ushtruar, Enis Telës iu gjetën 2 qese farmacie me bimë të dyshuar narkotike e llojit Cannabis sattiva.
Po ashtu, forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë edhe 21-vjeçarin Besjan Kokaj, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tij u krye sepse në rrugën “Bogdani” në Tiranë, nga një kontroll personal të ushtruar ju gjetën rreth 8 qese farmacie brenda të cilave ndodhej bime me ngjyre dhe karakteristika si ato të lëndës narkotike Cannabis sattiva, të cilat pasi u peshuan rezultuan të jene të peshës 23.2 gramë. U kryen veprimet procedurale, materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, parashikuara nga neni 283 i Kodit Penal.
Përplasja e dy automjeteve, plagosen kalimtarja dhe pasagjerja
Durrës - Në autostradën Tiranë-Durrës, në Maminas, automjeti tip Rover me targë TR-1895-R ka goditur nga pas mjetin Volksvagen me targa TR-0757-P. Sipas të dhënave policore, si pasojë e kësaj përplasje është dëmtuar 6-vjeçarja S. T, e cila ndodhet e shtruar në Spitalin Ushtarak dhe mendohet të jetë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 27-vjeçarit Dedë Çoku, banues në Katund Sukth, pasi në aksin rrugor Manëz-Kthesa e Ariut duke drejtuar mjetin e tij Opel me targë ZHM. 1379 ka aksidentuar këmbësoren 11-vjeçare E. Q, e cila ndodhet e shtruar në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën.
Dy shokë nga Korça mbyten në detin e Vlorës
Vlorë – Dy djem nga Korça humbën jetën njëri pas tjetrit dje pasdite në Vlorë pasi u mbytën në rrethana ende të paqarta. Elvis Cenaj dhe Kristi Andoni, të dy 18-vjeçarë dhe nga qyteti i Korçës, gjendeshin në plazh tek Uji i Ftohtë, së bashku me shokë të tjerë, për të kaluar disa ditë pushime. Në rrethana ende të paqarta, dje pasdite rreth orës 19:00, Elvisi dhe Kristi, ndërsa po notonin në det, jo larg bregut, kanë kërkuar ndihmë. Shumë njerëz u afruan por vdekja e një prej djemve ishte e pashmangshme, ndërsa u shpëtua tjetri, por që vetëm pak minuta më vonë, pas dërgimit në Urgjencën Spitalore të Vlorës, po në rrethana të paqarta humbi jetën.
25 Gusht 2009