E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS e Korçës:Për kreun të kandidojnë Rama, Blushi dhe Malaj

 

Korçë/Jorgjeta Gjançi

Asambleja e Bashkisë Korçë i kërkon Ben Blushit të kandidojë për kreun e PS-së. Përmes një rezolute të miratuar unanimisht, socialistët korçarë mbështesin kandidimin e Ramës, Blushit dhe Malajt dhe kërkojnë një garë të ndershme për kreun e ri të PS-së. “Duke u udhëhequr nga bindja se në PSSH të gjithë janë të domosdoshëm, askush nuk është i panevojshëm dhe askush nuk mund të përjashtohet nga e drejta e zgjedhjes apo rizgjedhjes, aq më tepër kur bëhet fjalë për kryetarin e PSSH–së, mbështesim rikandidimin e Edi Ramës dhe kandidimin e Ben Blushit, Arben Malaj, etj., për kreun e PSSH–së. Është vota e anëtarësisë ajo që vendos”, thuhet në rezolutën e miratuar nga Asambleja e PS-së bashkia Korçë. Kryetari i PS-së bashkia Korçë, Ilir Pendavinji, njëkohësisht anëtar i Asamblesë Kombëtare, përmes një konference për mediat shprehu qëndrimin e asamblesë. “Mbështetja e socialistëve të Korçës për deputetin Ben Blushi ishte unanime. Ata i kërkuan që të kandidojë për këtë post. Vetë Blushi nuk u shpreh nëse do të kandidojë apo jo. Ai u shpreh se e vlerëson besimin e socialistëve të Korçës për të marrë postin e kreut të PSSH, dhe se do ta ketë në konsideratë këtë kërkesë të sinqertë të tyre”, tha Pendavinji. Sipas tij, qëndrimi i socialistëve korçarë ishte shumë luajal dhe parimor për një garë të ndershme dhe të hapur. “Ishin dy vetë që propozuan dhe kërkuan që delegatët e Korçës të mbështesin ish-kryetarin e PSSH Edi Rama, por kjo nuk u pranua. Asambleja u shpreh se nuk do të mbahet qëndrim i diferencuar ndaj kandidatëve. Ishin të gjithë të një mendimi që të mbështeten të gjithë kandidatët dhe duke gjykuar nga zhvillimet e Kongresit të veprojnë. Për ne të gjithë kandidatët janë të barabartë dhe çdo delegat ka të drejtë të japë votën e vet për atë që dëshiron”, u shpreh Pendavinji. Kreu i socialistëve korçarë hodhi dje poshtë publikimet mediatike si të pavërteta dhe të deformuara tërësisht nga ç’kishte ndodhur në mbledhjen e asamblesë. Sipas tij, anëtarët e asamblesë së Korçës, socialistët shprehën lirisht mendimet e tyre për gjithçka u diskutua. “Fryma e saj ishin vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të PSSH, duke mbështetur vendimet e saj për të hyrë deputetët e PSSH në Parlament, për të respektuar Statutin e PSSH për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të PSSH Edi Rama”, u shpreh Pendavinji. Sipas tij, “në mbledhje pati dhe mendime ndryshe dhe ata që i shprehen ishin katër-pesë vetë që u lanë të thoshin atë që mendonin”. “Më pas edhe ata pas argumenteve që u dha shumica iu bindën mendimit dhe gjykimit të shumicës dhe vendimet që mori Asambleja ishin unanime. Aq unanime ishin sa që nuk u desh të hidhej në votë rezoluta e kësaj mbledhjeje”, tha Pendavinji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›