Ambasadori i BE: Raporti negativ, Maqedonia fajtore
Nuk ka bisedime anëtarësimi me Bashkimin Evropian (BE), pasi Maqedonia nuk ka plotësuar kriteret politike. Ky është konkluzioni kryesor i raportit, që u publikua në Bruksel dhe i cili u vë theksin të gjitha dobësive dhe përmban rekomandimet e KE-së, që ky vend t‘i korrigjojë ato, nëse synon të anëtarësohet në BE. Maqedonisë nuk do t‘i caktohet data e fillimit të bisedimeve të anëtarësimit në BE, pasi Komisioni Evropian nuk ka argumente të mjaftueshme që të vendosë për këtë datë, ashtu sikurse kishte të tilla në vitin 2005, kur vendosi për dhënien asaj të statutit të vendit-kandidat. Kjo ishte përmbajtja thelbësore e asaj që deklaroi këto ditë përfaqësuesi i lartë i BE-së në Shkup, Eruan Fuere. "Asnjë vend nuk është ishull dhe nuk mund të mbijetojë vetëm. Bota jonë është një vendbanim global, ku e vetmja mënyrë që të përballoheni me problemet që lidhen me zhvillimin ekonomik, papunësinë, sigurinë etj., është bashkëpunimi", deklaroi këto ditë euroambasadori Fuere, duke vënë në dukje se, "për këtë arsye, ne e konsiderojmë Maqedoninë si pjesë të BE-së në të ardhmen. Kjo është mënyra më e mirë për zhvillimin dhe realizimin e aspiratave të brezave të rinj", tha ai. Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni nuk përmbushën standardet ndërkombëtare; mungesa e dialogut politik është kundërproduktive, duke ndikuar negativisht tek institucionet politike; papunësia ndodhet në nivele shqetësuese; puna e administratës publike lë për të dëshiruar; reformat në fushën e policisë nuk po kryhen ashtu sikurse duhet, pasi ka politizime gjatë caktimit të funksionarëve të saj; sistemi gjyqësor duhet të jetë i pavarur dhe më i efektshëm, vuri në dukje z. Eruan Fure, sipas të cilit vendimtare dhe kyçe për ecjen përpara të këtij vendi në rrugën drejt BE-së janë krijimi i një shoqërie civile të zhvilluar, pavarësia e medias dhe respektimi i zërit të biznesmenëve, që janë midis treguesve kryesorë se sa një vend është demokratik. "Nga roli i shoqërisë civile dhe nga fakti se sa e respekton qeveria rolin e kësaj shoqërie, duket se sa e fortë është një demokraci", tha Fuere. Për sa i përket çështjes së emrit së Maqedonisë, raporti i KE-së rekomandon se duhet të shmangen ato veprime që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e ndërsjella mes Maqedonisë dhe Greqisë. Në qarqet diplomatike në Shkup vihet në dukje se zgjedhjet presidenciale, në mars të vitit të ardhshëm, në Maqedoni, do të jenë një test definitiv për pjekurinë politike dhe demokracinë në këtë vend, para se të merret vendimi përfundimtar lidhur me caktimin e datës së fillimit të bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.