PTK shitet sivjet
Qeveria sivjet ka paraparë të përfundojë tërësisht privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës. Sipas planit zhvillimor të miratuar gjatë kësaj jave, shpallja e fituesit do të bëhet në tetor, ndërkaq përmbyllja financiare në dhjetor.
Nga ana tjetër, sindikata e pavarur e PTK-së paralajmëron se këtë proces do ta kundërshtojë përmes rrugëve ligjore. Autoritetet vendore sivjet do të kryejnë të gjitha procedurat për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Pas miratimit të strategjisë së privatizimit në pako me buxhetin, qeveria tani këtë proces e ka paraparë edhe me planin e zhvillimit ekonomik. Menaxheri i projektit të privatizimit të PTK-së, Arsim Bruçaj, tha për Radio Kosovën se privatizimi do të bëhet sipas procedurave të parapara me Ligjin për partneritet publiko privat dhe koncesione.
Por, sindikata e pavarur e PTK-së vazhdon ta kundërshtojë privatizimin e kësaj kompanie.
Kryetari i kësaj sindikate, Milazim Alshiqi, tha se pas disa protestave që kanë mbajtur, këtë proces tani do të kundërshtojnë nëpërmjet rrugëve ligjore. Ndërkaq, me strategjinë e privatizimit parashihet të privatizohen rreth 75 për qind të aksioneve të kompanisë.
Fituesi i tenderit është i obliguar që të mbajë në punë të gjithë punëtorët edhe për katër vjet. E Qeveria e Kosovës privatizimin e PTK-së e kishte futur në kuadër të Ligjit për buxhet, i cili është miratuar muajin e kaluar. Sindikalistët e kësaj ndërmarrjeje së bashku me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin protestuar kundër kësaj mënyre të shitjes.