E Shtunë, 31 Tetor 2026

PUBERTITETI I MAQEDONISE

Në prag të 17-vjetorit të lindjes së shtetit të Maqedonisë, shpërbëhet Parlamenti, qeveria dhe shpallen zgjedhjet e parakohshme, me idenë e zgjidhjes së problemeve të krijuara. Edhe pse vetë Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, e di se zgjedhjet nuk zgjidhin asgjë, ai i propozoi ato, duke lënë pas vetes shumë probleme të pazgjidhura dhe po aq të krijuara nga qeverisja e tij dyvjeçare. Ǒmund të bëjë ky njeri, partia e të cilit, VMRO-DPMNE, kryeson në të gjitha sondazhet, pas zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, në shtetin që ka hyrë në pubertet, por nuk po piqet dot.

Problemet e brendshme

Kur Sllobodan Millosheviçit i lindi ideja për krijimin e shtetit të Maqedonisë, për inatin e të gjithë atyre që e rrethonin, të gjithë u pataksën, madje edhe të gjithë titistët që jetonin në këtë Republikë të Jugosllavisë. Pro-maqedonasit e kësaj republike, që fillimisht e quajtën dështimin e tyre të radhës, u përballën me një fakt të kryer, që do t‘u mundësonte bullgarëve të jetojnë, pse jo, edhe në dy shtete. Pas shumë përpëlitjeve komuniste, që veten e quanin tashmë Lidhje Social-Demokrate e Maqedonisë, radha u erdhi edhe atyre revolucionarëve që njihnin jetën e kaçakut, si VMRO-DPMNE dhe që, me fjalorin e tyre pro-bullgar, bindën masën se ata do ta rimëkëmbin këtë vend dhe popull. Ishte viti 1990, kur në zgjedhjet e para pluraliste këta antikomunistë arritën të fitojnë 37 deputetë. Por kjo nuk u mjaftoi që të dinë ose të kenë mundësi të qeverisin, sepse kaçaku mbetet kaçak dhe ulja e tij në tryezë është paksa e vështirë.

Vetëm dy vjet më pas, në shtator të vitit 1992, në krye të qeverisë së Maqedonisë vjen komunisti i thekur Branko Cërvenkovski. Qeveritë e Maqedonisë do të zgjidhen e do të ikin, por problemet e brendshme do mbeten aty ky ishin. Në vorbullën e kësaj politike të kotë maqedonase, do të vuajnë edhe shqiptarët, si një e katërta e popullsisë, ndërsa Greqia, ashtu siç kishte paralajmëruar, nuk do ta njihte si shtet me këtë emër. Zgjedhjet e radhës, në nëntorin e vitit 1994, bojkotohen nga VMRO-DPMNE. Fitojnë socialdemokratët për të qeverisur edhe për katër vjet me radhë, e për të vazhduar politikën antishqiptare, sikurse veproi Tito dhe UDB-ja. Edhe pse të gjithë ishin nisur drejt BE-së dhe NATO-s, asnjë qeveri maqedonase nuk ishte e interesuar për zgjidhjen e problemeve të brendshme.

Asgjë e re, si me LSDM-në, ashtu edhe pa VMRO-DPMNE-në, Maqedonia po shkonte drejt një qorrsokaku, që do të kulmonte me konfliktin e vitit 2001. Përmirësimi i jetesës në këtë shtet nuk ndihmoi as partinë shqiptare, PDSH, dhe as komunistët e thekur të Cërvenkovskit, të cilët u përfshinë në qeverinë e koalicionit të gjerë. Ndërsa VMRO-DPMNE po vazhdonte me politikën e tokës së djegur shqiptare, LSDM largohet, si gjoja e pakënaqur nga ajo që po ndodhte në terren. Pra, jo për arsyen se çfarë po u ndodhte shqiptarëve, si po vriteshin të pafajshmit, sepse ishin jomaqedonas, por që luftës po i vinte fundi dhe dikush do të ishte në krye të qeverisë së radhës. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2002 dëshmoi se kaçakët do të qeverisin kur të lodhen komunistët dhe që të dyja palët nuk janë për këtë botë të civilizuar, derisa të kemi po ato probleme që ishin, qysh me krijimin e shtetit të Maqedonisë.

Nën presionin e madh ndërkombëtar dhe me angazhimin e madh të BDI-së së Ali Ahmetit, populli shqiptar në Maqedoni filloi të mendojë dhe flasë shqip. U arritën disa të drejta, për të cilat politika-fantashkencë e Maqedonisë as që e kishte menduar ndonjëherë. Marrëveshja paqësore që kishte ndaluar konfliktin e armatosur, parashikonte zgjidhjen e shumë çështjeve të brendshme e, që në thelb kishin të bëjnë me lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Bashkësia ndërkombëtare, që kishte filluar të mendonte për një Maqedoni multietnike dhe evropiane, kishte harruar për momentin që, për realizimin e një projekti të këtij lloji, modern dhe civilizues, mungon qytetari i këtij vendi. Të gjitha reformat e ndërmarra për katër vjet u përdorën si kartë nga VMRO-DPMNE, për ta sulmuar LSDM-në, e cila, sipas kaçakëve, kishte bërë shumë lëshime për shqiptarët.

Është 23 korriku i vitit 2007, kur Gruevski akuzon paraardhësit e tij për "lëshime" ndaj shqiptarëve, e që në fakt ishin reformat e një vendi që pretendonte anëtarësimin në BE dhe NATO. "VMRO-DPMNE nuk do të përsërisë gabimin e LSDM-së dhe gjatë qeverisjes nuk do të bënte lëshime për partitë shqiptare. Dallimi mes VMRO-DPMNE dhe LSDM-së, është se socialdemokratët në vitin 2002 kanë bërë shumë lëshime për shqiptarët, si për ndarjen territoriale, Universitetin e Tetovës dhe punësimin e ish-komandantëve të UÇK-së". Po ky njeri vazhdon qeverisjen e vendit, i cili ishte nisur drejt NATO-s, ndërsa acarohej me të gjitha shtetet fqinje. Radhën e ka Shqipëria, e cila bëhet mollë sherri për vizat. Ndërhyn Brukseli dhe kaçakët ulen në tryezë, për të vazhduar nëpër male e nëpër fusha me Prishtinën zyrtare për përcaktimin e vijës kufitare. Edhe pse askush nuk e vinte në dyshim dialogun, VRMO-istët u acaruan për ditët e numëruara që kishte shpallja e pavarësisë së Kosovës. Amperi për shqiptarët u ngrit në ekstrem, u inskenuan shumë aksione në kapjen e "terroristëve shqiptarë" dhe pësuan ata që i dolën në rrugë policisë dhe ushtrisë maqedonase, e cila pretendonte të bëhej pjesë e NATO-s.

Emri, qershi mbi probleme

Nikolla Gruevski, nëse nuk është asgjë tjetër, është një parashikues i mirë politik. Nuk dihet nëse e do apo jo integrimin në strukturat euroatlantike, por ai, edhe si opozitë, e kishte të qartë se përkundër dëshirës së mirë të Brukselit, Shkupi nuk e meriton një gjë të tillë.

Ndërsa po afroheshin ditët e mbajtjes së takimit të NATO-s në Bukuresht, ku pritej zgjerimi i Aleancës Veriatlantike, sërish dëgjohet zëri i Athinës zyrtare. Me 1100 probleme të brendshme, Maqedonia tashmë përballet edhe me çështjen e emrit, për të cilën nuk është e gatshme për kompromis, ashtu si për të gjitha çështjet shqiptare. Por meqë këtu nuk kishim të bëjmë as me Tiranën dhe as me Prishtinën zyrtare, çështja ndryshoi. Atë që tha Athina, u tha dhe u bë. Vetoja për Maqedoninë në Bukuresht ishte një dush i ftohtë për një shtet si Maqedonia, që vazhdon të jetë në pubertet dhe nuk denjon as ta çojë dorën e të vërtetohet nëse gjëndra vazhdon të jetë në vendin e saj. Pra, këtij shteti tashmë me shumë gjëndra, Athina zyrtare, përveçse nuk i lejon të anëtarësohet në NATO, i bënë me dije se do të privohet edhe nga shumë gjëra, nëse nuk disiplinohet. Kur gjithçka brenda gjakut maqedonas arriti pikën e vlimit, zgjidhja u pa tek zgjedhjet, sepse sondazhet tregojnë se sërish VMRO-DPMNE është e para.

Pavarësisht se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve, shpresojmë që VMRO-DPMNE dhe lideri i saj, Gruevski, do të piqen më në fund dhe do të bëhen gati për një jetë bashkëshortore, për të cilën duhen shumë konsensuse e angazhime dhe marrëdhënie të mira për gjithçka që i rrethon. Ndërsa një fitore e thellë e kësaj partie dhe përzgjedhja e dështuar që bëri Gruevski për mandatin e kaluar, mund të rrezikojë përzgjedhjen e radhës që do të bëjë kjo parti për celebrimin qeverisës, sepse nusja sërish mund të jetë edhe më e shkurtër se dhëndri.

Ndërkohë, shqiptarëve nuk u mbetet asgjë tjetër, vetëm se të presin profecinë e radhës së Nikolla Gruveskit e, më pas, të reagojnë, sepse më 29 gusht 2005 Gruveski, në atë kohë shef i opozitës, pas takimit me ekspertë të BE-së, deklaroi: "Në vitin 2006 nuk do të kemi ftesë për anëtarësim në NATO. Ndoshta, në 2007 a 2008. Dhe më e keqja është se kjo mund të shtyhet akoma, për shkak të çështjes së Kosovës. E nuk dihet se sa mund të zgjasë e gjithë kjo. Mund të zgjasë një vit, mund të zgjasë tre apo edhe më shumë. Maqedonia ka probleme serioze. Grekët nuk pranojnë emrin, Serbia nuk pranon kishën, Kosova nuk pranon kufirin, Bullgaria nuk pranon gjuhën dhe kemi probleme edhe në kontrollin e brendshëm të territorit. Çështje këto të pazgjidhura, që qëndrojnë edhe sot, kur Gruevski erdhi e shkoi nga kreu i qeverisë...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›