Interpol sjell në Shqipëri të kërkuarin Mysret Hoxha
Ekstradohet nga Franca një i kërkuar shqiptar. Interpol Tirana ka ekstraduar dje Mysret Hoxhën, 36 vjeç, lindur dhe banues në Treblove-Vlorë. Ndaj Hoxhës, Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për kryerjen e veprës penale të përkrahjes së autorit të krimit. Sipas vendimit të gjykatës, më datë 14 prill 2007, rreth orës 15:00, në vendin e quajtur lagjja "Ullishte", në fshatin Mbrostar të Fierit, Florant Hatija ka kaluar me shpejtësi me automjetin e tij "Mercedes Benz", pranë banesës së të dëmtuarit Dashnor Ndreu. Ky i fundit ka debatuar me Florantin pse automjeti drejtohej me shumë shpejtësi dhe në rrugë luanin fëmijë. Pas debatit, Floranti është larguar dhe është rikthyer rreth orës 19:30, në të njëjtin vend me automjetin e tij, ku në vendin e parë qëndronte nipi i tij, Marjus Hatija, dhe në sediljen e pasme subjekti i ekstradimit Mysret Hoxha. Floranti i ka vënë në kokë pistoletën të dëmtuarit Dashnor Ndreu dhe e ka qëlluar, duke e plagosur. Më pas ka qëlluar në drejtim të bashkëshortes së Dashnorit, Luljeta Ndreut. Në këtë moment është afruar edhe vëllai i të dëmtuarit, Sabri Ndreu, i cili është qëlluar me automatik prej të pandehurve Marjus Hatija dhe Mysret Hoxha, duke mbetur i plagosur. Menjëherë pas kryerjes së krimit, autorët janë larguar, duke lënë afër vendit të ngjarjes mjetin e tyre. Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e policisë, por të tre autorët i kanë shpëtuar ndjekjes, duke u hedhur nga automjeti me të cilin udhëtonin në drejtim të Gjirokastrës. Që në atë kohë, Hoxha ishte shpallur në kërkim, ndërkohë që në bazë të Konventës Evropiane të Ekstradimit, organet tona të drejtësisë kanë kërkuar ekstradimin nga Parisi të shtetasit në fjalë. Në Aeroportin e Rinasit, ky person i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.