Gjykata e Lartë liron ish-oficerin e SHKB-së
Oficeri i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Dali Hakorja, që u arrestua dy muaj më parë gjatë operacionit të koduar "Furtuna", është liruar dje nga Burgu 302 ku ndodhej nën masën e sigurisë burg pa afat. Gjithçka ka ndodhur pas vendimit të Gjykatës së Lartë që ka vendosur të revokojë masën e sigurisë të dhënë më parë nga dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit. Oficeri i SHKB-së u vu në pranga më 26 shkurt të këtij viti, së bashku me pesë persona të tjerë të akuzuar për veprat penale të "Korrupsionit pasiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", "Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", "Falsifikim dokumentesh" të kryera në bashkëpunim të parashikuara nga nenet 244,245/1, 186 dhe 25 të Kodit Penal. Gjykata e Shkallës së Parë caktoi ndaj 52-vjeçarit masën e sigurisë burg pa afat dhe të njëjtën masë la në fuqi edhe Gjykata e Apelit në kryeqytet. Prokuroria i akuzonte të arrestuarit e këtij grupi për veprime të kundërligjshme për regjistrimin e pronave dhe lëshimin e certifikatave të falsifikuara të pronësisë për një numër të konsiderueshëm shtetasish, në këmbim të marrjes së parave si përfitime të paligjshme dhe përvetësimin e pronave padrejtësisht.