Tiranë, "luftë" me pistoleta për konfliktin mes fëmijëve
Sherri mes dy fëmijëve ka degjeneruar në luftë me pistoleta mes prindërve të tyre, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë në Kamzë të Tiranës, ndërkohë që uniformat blu kanë prangosur dy prej protagonistëve. Luan Çuni dhe Enver Pëllumbi janë arrestuar nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës deklaruan se janë arrestuar dy persona, pasi kanë tentuar të vrasin për motive të dobëta shtetasit Besmir Murataj, 23 vjeç dhe Fatjon Arifaj, 18 vjeç, të dy me banim në Tiranë. Në lidhje me këtë ngjarje, u dërguan të gjitha materialet hetimore të dosjes në prokurori për konsumim të veprave penale të vrasjes së mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, si dhe të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve", detajoi policia e kryeqytetit. Më tej, uniformat blu shtuan se në këtë kuadër, nga seksioni kundër krimeve të jetës dhe shëndetit u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për shtetasin Luan Hamit Çuni, 32 vjeç, lindur dhe banues në Kodër-Kamzë, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë. Ndërkohë, në prangat e policisë përfundoi edhe protagonisti tjetër i kësaj ngjarjeje kriminale, Enver Leonard Pëllumbi, 23 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë. "Rreth orës 21.00 të ditës së mërkurë, të sipërcituarit dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në Fushë-Mëzes, për motive të dobëta kanë tentuar të vrasin me pistoletë Besmir Muratajn dhe Fatjon Arifajn. Nga ky seksion u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale në ngarkim të tyre, ndërsa në vendin e ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 gëzhoja pistolete", deklaroi policia. Sipas të dhënave hetimore, policia, e njoftuar për këtë rast, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes duke shoqëruar personat e pranishëm gjatë konfliktit, si dhe dy personat e dëmtuar. Ata kanë lëshuar deklaratat e tyre në lidhje me rrethanat e ngjarjes, duke bërë që grupi hetimor të ndërtojë skenën e krimit. Në përfundim të marrjes në pyetje të dëshmitarëve të vendit të ngjarjes, policia ka arritur në konkluzion se ky konflikt me armë, që ka terrorizuar edhe banorët e zonës, ka ardhur për shkak të një zënke mes fëmijëve. Policia ka arritur në konkluzion se fillimisht janë zënë me fjalë dhe grushte fëmijët e dy palëve të konfliktit dhe më pas të mëdhenjtë kanë shkuar për të shuar konfliktin, por që e kanë ndezur më shumë, duke nxjerrë edhe armët. Policia tha se gjatë këtij konflikti është qëlluar me armë në drejtime të ndryshme, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Nga ekspertët u gjetën dhe sekuestruan gjashtë gëzhoja.