E Shtunë, 31 Tetor 2026

REFORMAT, STUDIMET DHE GERDECI

Sigurisht që në historinë njerëzore pranohen aksidente, jo vetëm në marrëdhënie me sipërmarrje të tilla, por edhe në fusha të tjera të aktivitetit ekonomik dhe ai ka një koeficient. Pranohen dhe pasoja që vijnë nga këto aksidente, të cilat kanë një përmasë të caktuar. Kësisoj, të gabosh është njerëzore, por marrëzia qëndron se në rastin Gërdec, Farkë, minierë, autostradë aksidente etj., ende ngulet këmbë në gabim, që sot është faj dhe që faji u bë qyrk, por që nuk po e vesh njeri. Meqë ra fjala nuk mund të pranohen 40 aksidente në rrugë për 10000 automjete, kundrejt 10 apo 5.2 që ka bota për të njëjtën konstante. Nuk mund të pranohen 19 të mbytur në harkun e një minute, në 1,5 metra thellësi, në 4 metra distancë nga bregu. Nuk mund të pranohen tre të vdekur në akshën fabrikë në Elbasan, dy të zënë dheu në një minierë në Bulqizë, një i rrëzuar nga një pallat në ndërtim, një i vrarë apo një i vetëvrarë. A i ka ardhur fundi këtij vendi? Kurrsesi jo!

Pra, Shqipëria kish kohë që thirrte mort. Gërdeci është kulmi i këtyre që kanë ndodhur, por duke qenë se asgjë nuk ndryshon në legjislacion, në reformë, në institucione, mbi të gjitha në konceptimin tjetër të jetës, kush na garanton se Gërdeci nuk do të pasohet nga Gërdecë e Farka të tjera. Aq më tepër, kur institucionet tona, jo vetëm kanë ecur deri më sot në një rrugë të gabuar, por kanë shtuar vrapin në këtë drejtim, ndryshe nga luanët që vrapojnë shpejt dhe leopardët akoma më shpejt, por asnjëherë kot dhe asnjëherë në drejtim të gabuar, madje e ndërpresin kur e kuptojnë se janë gabim.

Gërdeci, në një formë apo në një tjetër, më e vogël apo më madhe, ka pas ekzistuar në mendjen e çdo shqiptari. Duket sikur e keqja ka ardhur fluturimthi dhe sigurisht do të kërkojë të ikë çalë-çalë, por në fakt ajo ka ardhur po aq çalë-çalë. Vëreni sa shumë zjarre u vunë vjet me idenë, që ai tjetri të mos ketë kullotë. Vëreni sa zjarre deri në grushte kishte në Parlament, që për tre vjet nuk kanë prodhuar ligje të zjarrta, por Gërdecë me zjarr, për aq kohë sa mjerani institucion ka mbledhur rreth vetes servilë, ndërkohë që ky i fundit si mjeran i mjeranëve ka mbledhur rreth vetes tifozë fanatikë apo klan aferash. Vini re sa keq u ravijëzuan institucionet tona, ku militanti kapi fronin edhe të teknokratit, edhe të burokratit, edhe të shoqatës civile, edhe të ekspertit. Të hatashëm dhe të kudondodhur!

Ǒndodhi? Ligjet ushtarake u kthyen në ligje civile. Majorët u zëvendësuan me agronomë. Ushtarët u zëvendësuan me civilë, që për dhjetëra vjet kishin kapur parmendën dhe jo armën. Pra, në këto rrethana lindi, u zhvillua dhe u shua një apo disa fshatra si Gërdeci. Kësisoj, reforma e bërë nga institucionet tona të "mëdha", bëri të vriten të vegjlit. Më saktë, ata shkelin ligje dhe të varfrit ndëshkohen. Dhe sot, këto institucione, pasi i varën këta të vegjël, tani duan të bëjnë edhe procesin. Ky shtet mendjemadh përbën një nga tri gjërat më të neveritshme në shoqërinë njerëzore, sikundër është një pasanik rrenacak, sikundër është një plak matuf. Gërdeci ka përbërë atë zonë të zgjedhur, ku do të kryhej demolimi i të paktën dhjetëra mijëra tonë municion me përmbajtje baruti, me prani edhe të predhave me dinamit etj.

Së pari; dhe si rregull, jo thjesht Gërdeci, por çdo teknologji për një aktivitet të caktuar ekonomik, civil, aq më tepër ushtarak e me lëndë të rrezikshme, i nënshtrohet enkas një përzgjedhjeje teknologjike (ajo që quhet "Technology Substitution"), ku minimumi, dy variante i jepen në dorë eprorit më të lartë vendimmarrës, duke i dhënë kështu atij mundësinë të gjykojë e të zgjedhë. Ky studim kurrë nuk është bërë. Sepse teknologjia më e mirë nuk do të sillte kurrsesi këtë humbje.

Së dyti; është një studim tjetër, që quhet vlerësim strategjik mjedisor-VSM, që bën përputhjen e teknologjisë së zgjedhur me sheshin apo vendin më të mirë të zgjedhur. Ky studim sjell në një emërues pëlqimin e vendimmarrësve me atë të komunitetit, përfshirjen dhe informimin e atij komuniteti që është më pranë dhe që mund të vuajë sadopak pasojat e tij edhe në rast mosshpërthimi.

Së treti; pasi zgjidhet sheshi i duhur, është një studim që quhet raport i vlerësimit të ndikimit në mjedis-VNM, që jep kriteret apo standardet e punës, largësitë nga zonat e banuara, distancat nga zonat e ndjeshme si: aeroporte, hekurudha, rrugë nacionale, pyje, liqene, zona të mbrojtura etj. Është ky studim që mban qëndrim kritik për normat e punës, rreziqet kundër zjarrit, rregullat e sigurimit teknik, kualifikimet përkatëse etj. P.sh. baruti nuk mbahet më shumë se 500 kg; nuk punohet, madje as me unaza e byzylykë, për efekt se mund të lindin rryma elektrostatike që ndihmojnë djegien; baruti duhet të digjet tej larg, në një poligonin të posaçëm. Gjithashtu, diku gjetkë, me autokllavë, duhet të asgjësohet një nga elementet më të rrezikshme të tij, siç është trinitrotoluoli-TNT.

E pastaj vjen një studim tjetër, që kurrë nuk bëhet, ai i rreziqeve natyrorë e socialë, ku parashikohen, se cilët janë faktorët objektivë e natyrorë që "vrasin" projektin, se cilët janë faktorët socialë që eliminojnë projektin dhe e kundërta: cilët janë faktorët teknikë apo teknologjikë që dëmtojnë mjedisin brenda punës dhe jashtë saj.

Dhe së fundi; vjen një studim tjetër, për vlerësimin e rreziqeve në shëndet të punonjësve brenda dhe të atyre jashtë. Ndaj, zona e zgjedhur ishte në gabimin e saj më maksimal, afër aeroportit, afër hekurudhës, afër digës me ujë të një liqeni rezervuar, afër shkëmbinjve ujëmbajtës si ata ranorë, por mbi të gjitha, afër zonave me popullsi deri në 10 mijë dhe mbi të gjitha fare, kjo punishte, qendër kombëtare e zbërthimit të municioneve u rrinte mbi shpinë, në lartësi mbi to, si për t‘u thënë: "Po ngritët kokë, ne që kemi edhe gurin, edhe arrën, ju vrasim". Dhe i vrau.

Fatkeqësitë më të mëdha, njerëzimit i kanë ndodhur, sepse nuk i ka dëgjuar ekspertët, të cilët institucionet tona nuk i dëgjojnë, pastaj i mënjanojnë, mandej i zëvendësojnë me karpentierë, derisa i flakin. Le që ky stan këtë bulmet kishte.

Nëse këto studime do të kryheshin, nuk do të kishim kurrë Farka e Gërdec ose edhe nëse ndodhnin për shkak të koeficientit, nuk do të kishin kurrsesi këto përmasa tragjike. Ndaj dhe Farka e Gërdeca janë krime më së pari institucionale, që për fat të keq, ngrenë rrjeta për të kapur merimanga (shitës bananesh etj), por që lënë ujqërit të çajnë ferrën.

A nuk është dështim i institucioneve tona, kur makina zjarrfikëse jo se jo, por edhe shkallët e saj nuk hyjnë dot për të shuar një zjarr, dhe zjarrfikësit me atlete e xhins në përpjekje për të shuar nga poshtë e shtyn atë një kat më lart, duke e ndihmuar me oksigjen të pamjaftueshëm. Na thoni: Cila është reforma institucionale, kur ende kemi plehra në rrugë e në mendje, kur ende nuk kemi lumenj që gurgullojnë, por ujëra të zeza që fshikullojnë në rrjedhjet e tyre. Por në këtë mesele, edhe ky popull e do një shuplakë, sepse ai duhet të dijë se jeta ndihmon ata që rrinë zgjuar dhe jo ata që flenë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›