E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreziku nga zgjedhjet serbe në Kosovë

Pas 17 shkurtit, kur u shpall pavarësia e Kosovës, Beogradi menjëherë i nxiti serbët e Veriut të Mitrovicës të organizojnë protesta, djegie pikash kufitare, bllokimin e gjykatës dhe të hyjnë në konflikt me forcat e sigurisë në Kosovë, pasi këto ndërhynë për ta zhbllokuar atë. Samarxhiqi e Nikoliqi vazhduan të hyjnë e të dalin në Kosovë vazhdimisht, për t‘ua dhënë serbëve të këtushëm instruksionet për hapat e tjerë të tyre, në mënyrë që këta të vazhdojnë të mbeten faktorë destabilizues. Nga plagët e marra, një polic ukrainas vdiq. Por vdekja e tij pati shumë pak jehonë në arenën ndërkombëtare. Me të drejtë, një analist yni theksoi se po ta kishin vrarë shqiptarët, bota do të ishte alarmuar. E çdo gjë që po bëjnë serbët e Kosovës, po heshtet shpejt!!! Në anën tjetër, pas 17 shkurtit, edhe në Beograd pati protesta të dhunshme që u organizuan nga qeveria serbe. Protestuesit iu vërsulën disa ambasadave, ndër të cilat edhe asaj amerikane.

Nga televizionet e huaja dhe televizionet tona, pamë çmendurinë e protestuesve serbë në Beograd, që reflekton edhe çmendurinë e qeverisë serbe. Protestat e dhunshme të serbëve në Beograd dhe në Kosovë dëshmuan se politika serbe as pas 17 shkurtit nuk e ka ndërmend të racionalizohet. Pas luftës e deri më 17 shkurt, Serbia mundohej t‘i shfrytëzonte gabimet e shqiptarëve dhe të politikës së tyre. Liderëve serbë u mjaftonte që në Veriun e Mitrovicës dhe në Graçanicë, ku kryesisht u mblodhën serbët edhe më parë në protesta, të lëshonin deklarata se nuk do ta lejojnë pavarësinë e Kosovës. Dhe që serbët e këtushëm t‘u brohorisnin atyre deklaratave. Pesë vitet e para, veç që ishte në pritje të shfrytëzimit të gabimeve të politikës shqiptare, Serbia, përmes shërbimit të saj sekret të instaluar në enklavat serbe, i organizonte edhe disa vrasje të serbëve, si në Gorazhdec të Pejës e në ndonjë vendbanim tjetër.

Sa herë vinte ndonjë lider ndërkombëtar në Kosovë, Shërbimet Sekrete të Beogradit e vrisnin ndonjë serb, për ta paraqitur Kosovën si një vend ku gjoja terrorizohen serbët nga shqiptarët, për të mbledhur pikë Serbia në arenën ndërkombëtare, që ta rikthente më lehtë nën juridiksionin e saj. Po edhe për ta mbajtur të gjallë urrejtjen e pakicës serbe në Kosovë ndaj shqiptarëve, që kështu ta ketë instrument të sigurt sa herë t‘i duhet për ta përdorur kundër saj.

2.

17 shkurti, Serbisë ia këputi shpresat se do të mund ta rikthente Kosovën nën juridiksionin e saj "demokratik". Prandaj e futi në funksion planin tjetër rezervë për ndarjen e Kosovës. Për një plan të tillë, para shumë vitesh, ka folur Dobrica Qosiqi e, me një ton pak më të vogël edhe Kryeministri i vrarë serb, Zoran Xhinxhiqi. Pas 17 shkurtit, për ta realizuar këtë qëllim, Serbia po e bën një përpjekje të madhe në arenën ndërkombëtare që të mos zgjerohet njohja e pavarësisë së Kosovës. Ende nuk është ngritur as në 40 numri i vendeve që e kanë pranuar shtetësinë e saj. Personalisht mendoj se protestat e dhunshme serbe në Beograd e në Kosovë kanë qenë shkaku që është frenuar zgjerimi i njohjes së shtetësisë së Kosovës.

Këto protesta të dhunshme i kanë frenuar shtetet që kanë qenë gjatë të lidhura emocionalisht me Serbinë që ta bëjnë këtë. E disa sosh (shtete), po ashtu, pas atyre protestave, janë duke pritur se si do të zhvillohen ngjarjet në Kosovë dhe rreth saj, për të vendosur për ta njohur ose jo. Por, lidhur me këtë, pra me faktin pse ngeci njohja e Kosovës në shifrën më pak se dyzet shtete që njohën Kosovën, përgjigjen më të mirë dhe më të saktë do të duhej ta gjenin politikologët dhe klasa jonë politike. Planin për "ndarjen funksionale të Kosovës", kohë më parë, Samarxhiqi ia dorëzoi UNMIK-ut, i cili e përcolli për në OKB. Që të zbatohet më lehtë plani në fjalë, Serbia ka planifikuar që zgjedhjet e saj parlamentare dhe lokale të shtrihen edhe në Kosovë.

Parlamentaret, UNMIK-u nuk i ka kundërshtuar. Ndërsa për lokalet nuk është dakorduar të mbahen më 11 maj, por në një datë tjetër!!! Kjo s‘është kurrfarë zgjidhjeje. Nëse ato lejohen të mbahen, ato e legjitimojnë në terren ndarjen, si u mbajtën më 11 maj, si me një datë tjetër. Së bashku, zgjedhjet parlamentare dhe lokale e forcojnë planin për "ndarjen funksionale" të Kosovës, që tashmë është në zyrat e OKB-së, ku e ka dërguar UNMIK-u para pak kohësh. Me fjalë të tjera, edhe zgjedhjet parlamentare serbe, edhe ato lokale të çojnë kah nxjerrja e atij plani nga sirtarët e OKB-së, për t‘u bërë objekt shqyrtimi në këtë organizatë ndërkombëtare.

3.

Shtrirja e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të Serbisë në Kosovë është provokim i rëndë për shqiptarët. Shumë më i rëndë se të gjitha ato që i provoi Serbia para 17 shkurtit. Janë një provokim që Serbia shpreson të shpërthejë, për ta shfrytëzuar që ta funksionalizojë ndarjen. Shqiptarët janë vënë në një sprovë shumë të rëndë. Nga kjo barrë e provokimit të Beogradit, duhet t‘i çlirojë bashkësia ndërkombëtare. Ajo duhet të ndikojë në OKB, dhe kjo tek UNMIK-u, që të mos i lejojë as zgjedhjet parlamentare e as lokale serbe në Kosovë, për shkak të rrezikut që mbartin ato për sovranitetin e Kosovës dhe rrezikut që të gjenerojnë një konflikt të paparashikueshëm shqiptaro-serb. Është në duart e bashkësisë ndërkombëtare t‘i pengojë ato. Për të mirën e zhvillimit të Kosovës, bashkësia ndërkombëtare duhet ta bëjë këtë. Ndryshe, Kosova dhe klasa jonë politike do të goditen rëndë…


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›