"Pa LSI, Rama do ishte në Paris"
"Në rast se ne nuk e mbështetnim Ramën në zgjedhjet lokale, ai sot do të ishte në Paris dhe jo kreu i bashkisë dhe PS".
Ilir Meta, sqaron në një intervistë të dhënë për "Zërin e Amerikës", të gjithë divergjencat me PS dhe Edi Ramën, dhe akuzat në hije ndaj tij. E kujt do të jetë përgjegjësia në rast të humbjes së zgjedhjeve nga e majta në vitin 2009 dhe koalicionet e reja. Marrëdhëniet me Milon pas bashkimit të PDS me Partinë Socialiste dhe akuzat për bashkëpunimin mes Berishës dhe Ramës. Pse e ndihmuan kreun e Bashkisë së Tiranës gjatë kandidimit në vitin 2007 dhe pse sot dy partitë më të mëdha të së majtës janë kaq larg njëra-tjetrës.
Duket se është krijuar një hendek i madh mes LSI dhe PS...
Hendekun nuk e kemi krijuar ne. Ne kemi qenë të hapur për çdo lloj sistemi, mjaft që të ishte i ndershëm. Zvarritjet nuk i kemi bërë ne. Ne kemi kërkuar që në fillim, që komisioni për reformën zgjedhore, i bashkëdrejtuar nga Rusmajli dhe Islami, të funksiononte në kohë e përpara samitit të Bukureshtit të dilnim me një reformë të përfunduar. Kanë qenë këto dy forca politike që kanë bllokuar qëllimisht gjithçka, pasi vuajnë në mënyrë të pashërueshme nga sindroma e prishjes së zgjedhjeve në Shqipëri për interesa të vogla. Ne kemi qenë të hapur për çdo lloj sistemi, për mazhoritarin e pastër, pasi votuesit e marrin vetë përgjegjësinë për zgjedhjen që bëjnë. Por, jemi kundër lojërave e makinacioneve.
Ju, pas acarimit të marrëdhënieve me socialistët tentuat krijimin e një koalicioni jashtë PS, me zotin Milo dhe Ceka. Por tani kemi zotin Milo të rikthyer te PS?
Mendoj se ka disa keqkuptime. Së pari, nuk kemi pasur asnjë marrëveshje me asnjë forcë politike për këtë koalicion të ri. Ashtu siç është e vërtetë, se ne kemi ideuar kur lidershipi i PS shkeli marrëveshjen me opozitën dhe me LSI për reformën zgjedhore, paralajmëruam krijimin e një koalicioni të ri "E Majta për integrim". Dhe në këtë kuadër, disa forca dhe aktorë të ndryshëm, shprehën përkrahjen, apo simpatitë e tyre. Ne nuk kemi nënshkruar asnjë marrëveshje me askënd. Pra, nuk mund të themi se dikush është larguar. Edhe rikthimi i zotit Milo në PS apo PSD, është një e drejtë e tij, të cilën e respektojmë, sepse secili është sovran për vendimet e tij, sikundër na vjen keq që argumenti i tij për të na ftuar edhe ne që të bashkohemi, është se edhe pse PS gaboi rëndë me Kushtetutën dhe nuk i pyeti aleatët, edhe pse gaboi rëndë me reformën zgjedhore dhe sot kemi reformë, e cila nuk është e standardeve demokratike apo evropiane, pavarësisht të gjitha këtyre, të bashkohemi, pasi sipas zotit Milo, jemi të vegjël dhe nuk kemi rrugë për të mbijetuar. Ne kemi një filozofi tjetër, atë të ndërtimit të koalicioneve dhe qëndrimit në politikë, bazuar në disa principe shumë të rëndësishme, nga të cilat nuk mund të devijojmë dot. Nëse zoti Milo u bë pjesë e Dushkut në 2005, ne nuk u bëmë me ndërgjegje të plotë. Ne shpresuam se filozofia e tij ishte e përbashkët me atë të LSI. Por në politikë, secili bën zgjedhjen e vet dhe merr përgjegjësinë e vet dhe ne i urojmë suksese aty ku ka shkuar!
A i druheni faktit se në rast të një humbjeje në zgjedhjet e 2009, ju do të vuani pasojat, apo do të shiheni si shkak i kësaj humbjeje?
Në rast se lidershipit të PS dhe zotit Rama i intereson thjesht një alibi, që në rast të një humbjeje të përdorë argumentin, se ishte qëndrimi i LSI ai që solli këtë rezultat të dështuar për PS, atëherë ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për këtë qëllim, që i ka vënë vetes zoti Rama. Ky është një problem për PS, nëse asaj i mjafton, apo e kënaq një justifikim i tillë. Ne kemi për qëllim fitoren e forcave progresiste në zgjedhjet e vitit 2009. Dhe jemi të bindur, se koalicioni ynë do t'i shërbejë përfaqësimit të të gjithë atyre, që ndihen të tradhtuar nga veprimet e lidershipit të PS, nga bashkëpunimi tepër i dëmshëm dhe i errët me Sali Berishën, që nga dhunimi i Kushtetutës, por edhe më tej, në gjithë dëmtimin e funksionimit demokratik të institucioneve. Dhe në këtë drejtim jemi të bindur, se rritja dhe fuqizimi i LSI dhe koalicionit "E Majta për integrim" ndihmon në fuqizimin e dimensionit opozitar në vend dhe maksimizimin e përfaqësimit të të gjithë socialistëve dhe progresistëve në Shqipëri.
Kush do të përfaqësohet në këtë koalicion?
Unë besoj se është ende herët. Besoj se dje u dha një sinjal me aderimin e deputetit të njohur socialist Petro Koçi dhe jam i sigurt, se do ketë shumë subjekte të tjera, por edhe aktorë të njohur të shoqërisë civile. Pra, do të jetë një koalicion shumë i gjerë, një koalicion shumë përfaqësues. Dhe koha është përpara, për të zbardhur edhe evidentuar këtë koalicion, që do të jetë një koalicion fitues.
Zoti Meta, qarkullon edhe një ide, se ju do të ishit të "interesuar" për një humbje të zgjedhjeve, pra do të pranonit edhe 4 vite të tjera në opozitë, për të pasur një PS të dobët ose pa Edi Ramën, që do të mundësonte ndoshta një rritje të peshës suaj brenda së majtës...
Ky nuk është aspak interesi ynë. Dhe është një arsyetim i gabuar, nëse do të ishim të interesuar për shkatërrimin e PS, apo eliminimin politik të zotit Rama. Ne këtë mundësi e kishim në vitin 2007. Zoti Berisha na është lutur, jo vetëm ai por edhe ambasadorë të huaj, që të bënim kodin pa certifikatat e garancisë që kërkonte zoti Rama e të gjithë ne. Dhe ne këtë mund ta bënim. E padyshim që sot, zoti Rama mund të ishte sërish në Paris e jo në krye të bashkisë, as në krye të PS dhe jo në krye të aferave të përbashkëta me zotin Berisha; besoj të gjithë e kanë të qartë situatën e zgjedhjeve 2007. Por ne këtë nuk e bëmë, se kishim nënshkruar një marrëveshje, ku interesi ynë i përbashkët ishte fitorja e opozitës përballë Sali Berishës. Kështu që nuk ekziston asnjë mundësi për të mbështetur skenarë të tilla. Interesi ynë i vetëm është fuqizimi dhe përfaqësimi i së majtës së vërtetë në Shqipëri, e cila ka marrë një goditje të rëndë nga një politikë klienteliste dhe aventuroze nga lidershipi i saj. Ndoshta gjërat mund të jenë ndryshe. Kryetarit të PS mund të mos i bëjnë përshtypje humbja në vitin 2009, pasi ka mandatin e kryetarit të bashkisë deri në vitin 2011 dhe koncesionet që ka marrë nga kryeministri Berisha pas zgjedhjeve të 2007, i mjaftojnë për të kënaqur ambiciet personale dhe të onturazhit të tij. Por, jam i bindur, se kjo nuk i intereson shumë socialistëve të thjeshtë që janë në opozitë, sikundër jemi të gjithë.
Marrë me shkurtime nga Zëri i Amerikës