Pa përgjigje për LDD’në

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) deri të mërkurën nuk do të marrë qëndrim zyrtar rreth letrës që lideri i LDD’së, Nexhat Daci i ka dërguar kësaj partie për koalicion dhe bashkëpunim parazgjedhor.
Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka thënë të premten se ende nuk është shqyrtuar letra e ardhur nga LDD’ja.
“Ende Kryesia e LDK-së nuk është mbledhur për ta shqyrtuar. Tani për tani, krejt çka mund të themi, është se na vjen mirë për ftesën e bërë nga LDD’ja. Sigurisht se të mërkurën do të dalim me një qëndrim zyrtar”, ka thënë Haziri për Kosovapress.
Ndërkaq, presidenti Fatmir Sejdiu ka deklaruar se ai si president i vendit nuk ka marrë oferta politike, por LDK’ja, e cila ka dhënë apo edhe jep përgjigjet e veta.
“Natyrisht unë s’mund të izolohem nga roli i liderit që kam në këtë parti politike dhe këtë kujdes që duhet të kem për të, por edhe për partitë e tjera politike, absolutisht. Mirëpo, çështja e interesave në kuptim të bashkëpunimeve politike është pjesë e fokusit normal të secilës parti politike”, ka thënë Sejdiu, në një intervistë për Europën e Lirë.
Sipas tij, LDK-ja ka energjinë e vet që të japë përgjigje edhe për iniciativën AAK’së edhe për atë të LDD’së. “Unë s’kam ndonjë përgjigje timen, sepse po të isha përgjigjur, sigurisht se do të ishte interferencë në atë që mua nuk më takon të merrem”.
Kryeministri Hashim Thaçi nuk ndihet i brengosur nga ofertat që partitë opozitare po i bëjnë partnerit të tij qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës. Thaçi tha të premten pas mbledhjes së Qeverisë se bashkëpunimi i koalicionit është i shkëlqyeshëm.
“Unë jam kryeministër i Qeverisë dhe u shërbej gjithë qytetarëve dhe nga ky pozicion ku jam sot këtu nuk jap komente partiake. Institucionet e vendit janë stabile, janë duke funksionuar shumë mirë. Është duke vazhduar implementimi i të gjitha përkushtimeve tona të përbashkëta. Bashkëpunimi i partnerëve të koalicionit është i shkëlqyeshëm. Ka qenë edhe në të kaluarën, është edhe sot, do të jetë edhe në të ardhmen. Zgjedhjet natyrisht do të jenë në afatin e rregullt kushtetues”, tha Thaçi.