E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa pikë t’marres

Ka prej tyre që u kalon mandati katërvjeçar dhe kurrë nuk e hapin gojën të thonë një fjalë të vetme. Përveç kësaj, ka të tjerë që shpesh i merr edhe gjumi. Megjithëkëtë, kur vjen puna të marrin edhe më shumë beneficione për vete, madje edhe kur të dalin në pension, të gjithë kthjellen. Këta janë deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata kanë menduar edhe për pleqërinë e tyre. Ligjvënësit kanë miratuar Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetëve, që tashmë vetëm pritet të fuqizohet me një nënshkrim nga presidenti Fatmir Sejdiu. Ky projektligj është miratuar të premten e javës së kaluar me 74 vota për, 2 vota kundër dhe 2 abstenime. Por kundër projektligjit kanë reaguar 12 organizata joqeveritare, duke mos u pajtuar me nenin 22.1 të ligjit në fjalë, i cili dëmton interesat e taksapaguesve kosovarë.

Në këtë nen thuhet se “...deputeti, pas përfundimit të mandatit, ka të drejtë për pension suplementar, nëse detyrën e deputetit në një mandat e ka ushtruar më gjatë sesa gjysma e kohëzgjatjes së mandatit të përcaktuar me ligj dhe e ka mbushur moshën 50 vjeç.”

Kjo do të thotë se nëse një person ka qenë vetëm dy vjet deputet, pas moshës 50-vjeçare ai mund të marrë pension 750 euro. E nëse ka qenë deputet për kohë më të gjatë, ai do të fitojë pension deri 1 mijë e 150 euro.

Këto OJQ i janë drejtuar me një letër të hapur presidentit të vendit. Ai në fakt është shpresa e tyre kryesore që ky ligj nuk do të kalojë. OJQ-të kanë kërkuar që projektligji të rikthehet për shqyrtim në Kuvend dhe të kundërshtohet neni 22.1.

“Derisa mosha e pensionimit për shërbyesit civilë në vend është 65 vjeç dhe lartësia e pensionit përcaktohet sipas kontributeve të dhëna në Trustin Pensional të Kosovës, gjatë karrierës së tyre, deputetët kanë privilegjuar veten e tyre duke përcaktuar moshën 50 vjeç kur u takon pensioni suplementar me vetëm gjysmë mandati shërbim, madje duke e bazuar atë në pagën e deputetit, e jo në pensionin mesatar në vend”, thuhet në këtë letër drejtuar presidentit të Republikës.

Sipas OJQ-ve, kjo nuk është e drejtë, veçanërisht duke marrë parasysh faktin se pensionistët kosovarë që kanë punuar mbi 40 vjet për ndërtimin e vendit, gëzojnë një pension simbolik prej vetëm 75 eurosh në muaj.

Për më tepër, shkruan letra, thuhet se Projektligji nuk ka qenë fare i shoqëruar me pasqyrat financiare gjatë shqyrtimit në Kuvend dhe implikimet buxhetore janë shumë të larta.

“Kur tërë kësaj i shtohet fakti se në të ardhmen pagat e deputetëve mund të rriten
dhe trendet tregojnë se në çdo legjislaturë kemi pasur nga së paku 50 deputetë të rinj,
kostoja e pensionit suplementar për deputetët do të ngarkojë së tepërmi buxhetin e
shtetit”, vazhdohet në letër.

Reagimi i OJQ-ve

Në mesin e OJQ-ve që kanë kundërshtuar këtë nen duke e nënshkruar këtë letër, janë edhe KDI-jadhe KMDLNJ-ja.

Driton Selmanaj nga KDI-ja thotë se kanë kërkuar nga presidenti i Republikës që mos ta nënshkruajë këtë projektligj, sepse siç thotë ai, është diskriminues dhe fyes për kategoritë e tjera të të punësuarve në vend.

“Ne kemi kërkuar nga presidenti që në bazë të ingerencave të tij të garantuara me Kushtetutë, ta dërgojë këtë projektligj në Gjykatën Kushtetuese për ta interpretuar nëse është shkelur Kapitulli II i Kushtetutës, ku flet për Të Drejtat dhe Liritë Themelore”, thotë Selmanaj për Express.

Sipas llogaritjeve të bëra, ai tregon se për një deputet që ka ushtruar këtë funksion më gjatë sesa gjysma e një mandati, ai do të marrë 50 për qind të pagës bazë të deputetit, ose rreth 750 euro. Për deputetët që kanë shërbyer në dy mandate, do të marrin 60 për qind të rrogës bazë ose rreth 900 euro, ndërsa deputetët që kanë shërbyer në tri a më shumë mandate, realizojnë të drejtën e pensionit suplementar në lartësinë 70 për qind, ose rreth 1 mijë e 150 euro të rrogës bazë së deputetit.

Behxhet Shala nga KMDLNJ-ja beson se ky nen është jashtëzakonisht favorizues për deputetët, krahasuar me qytetarët e Kosovës.

“Kosova është shteti më i varfër i rajonit me gjendje të rëndë ekonomike e sociale. Neni 22.1 i Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetëve nënkupton pensionimin suplementar në moshën 50-vjeçare, të cilin nuk e kemi në asnjë vend të Evropës”, thotë Shala për Express. Megjithatë, ai shpreson se presidenti Sejdiu nuk do ta miratojë këtë ligj. “Po të ishin deputetët e përgjegjshëm, ata vetë nuk do ta pranonin atë”, shton Behxhet Shala.

Shpjegimi i deputetëve

Por deputetët e Kosovës nuk mendojnë se janë të privilegjuar nëse miratohet ligji në fjalë, duke përfshirë edhe nenin e 22.1 të tij.

Deputeti nga PDK-ja dhe kryetar i Komisionit për legjislacion dhe gjyqësi, Bahri Hyseni, thotë se Ligji është keqkuptuar nga OJQ-të që kanë reaguar. Sipas Hysenit, pensioni suplementar nuk u takon të gjithë deputetëve, por vetëm atyre që pas të pesëdhjetave nuk kanë asnjë burim tjetër të të ardhurave.

“Këtë ligj duhet ta lexojmë mirë dhe drejt. Ky pension duhet t’i takojë atij deputeti, i cili nuk ka asnjë burim nga asnjë formë, qoftë si ligjërues, punëtor, shërbyes civil, etj.”, thotë Hyseni. Madje, ai kritikon OJQ-të se janë duke punuar jo vetëm kundër projektligjeve që po miratohen, por se nuk u ndihmojnë as proceseve në vend.

“OJQ-të vetë duhet të bëhen më transparente. Të tregojnë kah i marrin ato paga, sa punojnë dhe çka punojnë për interesin e Kosovës dhe atëherë do të dalim publikisht dhe të shikojmë se kush punon kundër, e kush punon për Kosovën”, thotë Bahri Hyseni.

Edhe shef i Grupit parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli, mendon se popullit të Kosovës nuk i bëhet e padrejtë në rast se presidenti e nënshkruan këtë projektligj. Makolli thotë se neni 22.1 nënkupton që ata deputetë që kanë marrëdhënie tjetër pune, nuk do ta kenë këtë pension.

“Është keqkuptuar ky ligj, sepse ata që janë të angazhuar në marrëdhënie pune, nuk e gëzojnë pensionin suplementar. Kjo është që ata deputetë të mos mbeten në rrugë. Në çdo vend mendohet për këtë çështje. Kjo vlen vetëm për pak deputetë, sepse kryesisht të tjerët janë në marrëdhënie pune”, thotë Ibrahim Makolli.

Sikurse kolegët e tij, edhe Ismet Beqiri, shef i Grupit parlamentar të LDK-së thotë se ky projektligj është përkrahur nga të gjithë deputetët e partisë së tij.

“Nuk mund ta them mendimin tim personal kur kjo është diskutuar në Grupin parlamentar. Grupi im e ka përkrahur në tërësi këtë projektligj, me përjashtim të nenit 23 dhe asnjëri prej nesh nuk ka dalë jashtë qëndrimit të grupit tonë parlamentar”, thotë Ismet Beqiri.

Njëri prej shumë deputetëve të rrallë në Kuvendin e Kosovës që e kundërshton këtë projektligj, është Naser Rugova nga LDD-ja.

“Ligji ka rëndësinë edhe të metat e veta. Natyrisht që duhet të ekzistojë Ligji për të zgjedhurit politikë, por janë disa nene që realisht nuk përkojnë me realitetin në Kosovë”, thotë Rugova për Express. “Personalisht unë jam kundër këtyre, duke përfshirë edhe nenin për pensionet suplementare. Është një nen që nuk përkon me realitetin në Kosovë”, shpjegon ai.

Në këtë rast, i fundit që do ta thotë fjalën e vet është presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu. Zëdhënës i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se për këtë do të diskutohet javën që vjen. “Secila letër që protokollohet në Presidencë, merret dhe analizohet nga presidenti dhe këshilltarët e tij. Sigurisht që do ta analizojë edhe përmbajtjen e kësaj letre të këtyre OJQ-ve dhe do ta vlerësojë atë”, thotë Beqiri për Express. Në vendet e Bashkimit Evropian dhe shumicën e vendeve të rajonit, deputetët nuk gëzojnë pension suplementar para moshës 55-vjeçare.

Në Shqipëri dhe në Belgjikë, deputetëve u takon pensioni suplementar pas moshës 55-vjeçare, në Francë, Itali dhe Danimarkë, pas moshës 60-vjeçare, ndërsa në Britani, Gjermani, Holandë, Norvegji, Suedi dhe Finlandë, pas moshës 65-vjeçare.

Kërkesat e OJQ-ve drejtuar presidentit
- Të mos nënshkruani Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetëve dhe ta ktheni për rishqyrtim në Kuvend;

- Të kërkoni rishqyrtimin dhe amandamentimin e nenit 22.1 të Ligjit, duke kërkuar që deputetëve t’u takojë pensioni suplementar pasi të kenë mbushur 60 vjet (duke i privilegjuar për 5 vjet në raport me shërbyesit civilë) dhe lartësia e pensionit të bazohet në shumëfishin e pensionit mesatar në vend, duke analizuar implikimet buxhetore të zgjidhjes së caktuar dhe jo pagën e deputetit.

- Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, përkatësisht Nenin 113, paragrafin 2 dhe 2.1 ta ngrini këtë çështje për interpretim pranë Gjykatës Kushtetuese, për të vlerësuar nëse ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën përkatësisht me Kapitullin II, ku flet për Të Drejtat dhe Liritë Themelore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›