Pa stadium për Dinamon
Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës kanë rënë në hall se ku do ta zhvillojnë ndeshjen miqësore, kundër gjigantit kroat, Dinamo Zagreb, e cila pritet të luhet më 19 shkurt për nder të trevjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kjo përballje ishte paraparë që të zhvillohet në stadiumin e Prishtinës, por gjendja në të cilën gjendet ky stadium ka detyruar udhëheqësit e futbollit kosovar të shikojnë opsione të tjera për zhvillimin e kësaj ndeshjeje.
“Në stadiumin e Prishtinës ndeshja nuk do të zhvillohet. Sot (të martën), ishim aty dhe kushtet janë shumë të vështira për të luajtur aty, pasi në pjesën perëndimore nuk ka reflektor, rrethojat e stadiumit nuk janë, e po ashtu edhe bari është në gjendje të rëndë”, ka thënë sekretari i FFK’së, Eroll Salihu për Express.
“Ne jemi në negociata se në cilin stadium mund ta zhvillojmë këtë ndeshje. Brenda kësaj jave, do të vendosim dhe gjasat janë që takimi i 19 shkurtit të luhet në stadiumin ‘Adem Jashari në Mitrovicë”, ka theksuar Salihu.
Dinamo pritet të jetë e para ekspeditë sportive kroate që vjen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës do të përkujdeset për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit të Dinamos dhe akomodimin në Prishtinë.
Dinamo është dashur të luajë në Prishtinë kundër Trepçës ’89 edhe dy vjet më parë, për nder të Pavarësisë së Kosovës, por më pas qeveria kroate, në mes të përgatitjeve për organizimin e ndeshjes, sugjeroi që ndeshja të anulohet për shkak të presionit të Serbisë.
Në Dinamo Zagreb në të kaluarën kanë luajtur Kujtim Shala dhe Ardian Kozniku, derisa sot fanellën e klubit nga stadiumi Maksimir e bartin edhe dy kosovarë të tjerë; Fatos Beqiraj dhe Arian Ademi.
Bunjaku pret zyrtarizmin
Edhe pse ndeshja miqësore ndërmjet përzgjedhjes së Superligës së Kosovës dhe Dinamos së Zagrebit pothuajse është e sigurt, selektori Albert Bunjaku po pret konfirmimin zyrtar për t’i bërë planet rreth formimit të ekipit.
“Po pres edhe konfirmonin zyrtar, për t’i bërë planet rreth përbërjes së ekipit. Ka shenja shumë të mira se kjo ndeshje do të zhvillohet dhe presim vetëm zyrtarizmin”, ka thënë Bunjaku për Express.
Bunjaku planifikon që kundër Dinamos së Zagrebit të luaj me futbollistë që aktivizohen në Superligë, pasi ardhja e lojtarëve që aktivizohen jashtë vendit është e pamundur në këtë kohë.
Ai po ashtu synon që në përzgjedhjen e Superligës të thërrasë edhe disa lojtarë të rinj, të cilët mund t’i bashkohen përfaqësueses së Kosovës në të ardhmen, nëse tregojnë cilësinë e tyre.