AGPK dënon kërcënimet e Budakovës ndaj gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka shprehur shqetësimin dhe ka dënuar ashpër kërcënimet ndaj gazetarëve të të përditshmeve “Express” dhe “Koha Ditore”, Alfred Beka dhe Vullnet Krasniqi, nga ana e aktorit dhe regjisorit Halil Budakova.
Budakova i ka kërcënuar gazetarët nëpërmjet telefonit, pasi që ata kanë pasur qasje kritike në shkrimet e tyre për filmin e tij, “Azem Galica”.
"AGPK dënon fuqishëm këtë akt dhe çdo lloj kërcënimi që iu bëhet gazetarëve për shkak të kryerjes së punës së tyre. AGPK konsideron se kërcënimi i gazetarëve paraqet shkelje të lirisë së shprehjes dhe lirisë së informacionit, të drejta këto shumë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë. Gazetarët kanë të drejtë të kërkojnë informata, të interesohen, të publikojnë dhe të shprehin mendimin kritik për tema që ata i konsiderojnë se janë në interes të publikut. Në rastin konkret, një pjesë e filmit “Azem Galica” është financuar pikërisht nga paraja publike. AGPK iu bën thirrje organeve përgjegjëse të merren me rastin", thuhet në komunikatën e AGPK-së.