E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ia panë hairin

Disa futbollistë nga Superliga e kanë shfrytëzuar afatin kalimtar të janarit për t’u transferuar jashtë vendit. Por, asnjë klub nuk ua ka pa hairin këtyre lëvizjeve, pasi nuk e kanë përfituar nga asnjë cent dëmshpërblim. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 03 shkurt 2011 në ora 12:32

Afati kalimtar i janarit ishte i mirëseardhur për disa futbollistë të Superligës, të cilët arritën të gjejnë angazhim jashtë vendit.

Liridon Ahmeti, Granit Cana, Florent Aziri, Dardan Rugova, Fitim Kasapi dhe Mensur Limani ishin futbollistët që ia panë hairin këtij afati kalimtar.

Ky afat ishte i pari që e gjeti Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) me kod të vetin në FIFA për sistemin e transferimit të lojtarëve, ku klubet e huaja nuk mund të transferojnë më lojtarë nga Kosova pa pëlqimin e tyre.

Megjithatë, skuadrat kosovar, prej të cilave futbollistët e lartpërmendur kanë kaluar nëpër klube të huaja, nuk e kanë fituar nga asnjë cent prej këtyre transferimeve.

Fitim Kasapi, edhe pse kishte kontratë me Besën, u transferua si futbollist i lirë te skuadra malazeze Mornar. Këtë ia mundësuan drejtuesit e klubit pejan, të cilët nuk i bënë problem futbollistit.

Kampionit aktual të Kosovës, Trepçës, i ka ikur mesfushori Liridon Ahmeti, i cili ende kishte kontratë, derisa sulmuesi Florent Aziri si lojtar i lirë u transferua te klubi slloven Domzale.

“Nuk kemi kërkuar dëmshpërblim për hir të futbollistit, sepse Ahmetit i ka ardhur rasti për të përfituar më shumë në Shqipëri dhe nuk kemi dashur t’i prishim punë”, ka thënë kryetari i Trepçës, Nexhmedin Haxhiu, për Express.

Por, Haxhiu insiston se skuadra e tij mund të përfitojë dëmshpërblim prej transferimit të Azirit në ekipin slloven, ndonëse Trepça nuk kishte kontratë valide me këtë futbollist.

“Aziri është nën moshën 23 vjeç dhe pat apo nuk pat kontratë me një klub, sipas rregullave, klubi tjetër nuk mund ta transferojë pa pëlqimin e klubit amë. Unë kam raporte të mira me drejtuesit e Domzale dhe sigurisht se do të rregullohet kjo punë”, theksoi Haxhiu.

Edhe klubi nga Kastrioti, KEK’u, ka mundur të përfitojë nga kalimi i Granit Canës te klubi shqiptar Teuta e Durrësit.

“Cana ka kontratë me ne deri në vitin 2015. Ne vetëm e kemi huazuar atë në Teutë të Durrësit, andaj nuk kemi kërkuar ndonjë dëmshpërblim, sepse ai ka kontratë me ne”, tha kryetari i KEK-ut, Istref Klinaku, për Express.

Në anën tjetër, sherri i dëmshpërblimit, Behar Maliqi kishte mbetur pa u transferuar nga Prishtina te Shkëndija e Tetovës, edhe pse kishte arritur marrëveshje paraprake.

Ky transferim dështoi pasi drejtuesit e klubit tetovar nuk ishin të gatshëm t’i paguanin dëmshpërblim Prishtinës, e cila ishte këmbëngulëse për të përfituar nga kjo shitje.

Drenica kërkon dëmshpërblim për Limanin

Për dallim nga skuadrat tjera, Drenica do të kërkojë dëmshpërblim për Mensur Limanin, i cili nga ky ekip është transferuar në Azal Baku. Kuqezinjtë ankohen se futbollisti i tyre është transferuar në mënyrë të parregullt te klubi nga Azerbajxhani

“Ne kemi pasur kontratë si klub me futbollistin, por jo edhe në FFK. Kontrata me Limanin qe dashtë të skadojë pas gjashtë muajve. Ai nuk e ka respektuar kontratën dhe ka shkuar në Azerbajxhan, edhe pse ka marrë të holla nga ne për kontratë dhe nuk i ka kthyer paratë kur ka shkuar para kohe”, deklaroi trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, për Express.

“Përveç që do t’i kërkojmë Limanit të na kthejë borxhin, ne nga klubi i Azerbajxhanit do të kërkojmë dëmshpërblim nëse dëshiron që ne ta lirojmë lojtarin prej kontratës që ka me klubin tonë. Këtë punë Drenica do ta kryejë vetë si klub dhe nuk presim ndonjë ndihmë prej FFK-së sepse dihet si funksionon ajo”, theksoi ai.

Vetëm katër transferime të realizuara nëpërmjet FFK’së

Nga tetë transferimet, sa janë bërë gjatë afatit kalimtar të janarit, vetëm katër prej tyre, Dardan Rugova, Florent Aziri, Granit Cana dhe Liridon Ahmeti, janë realizuar nëpërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Këtë e ka konfirmuar Artan Govori, zyrtar i FFK-së për marrëdhënie me jashtë. Sipas tij, Rugova dhe Aziri nëpërmjet FFK-së janë transferuar si lojtarë të lirë te Teuta e Durrësit, përkatësisht ekipi slloven Domzale, pasi asnjëri prej tyre nuk kanë pasur kontrata valide me klubet Vëllaznimi, përkatësisht Trepçën.

Ndërsa Cana dhe Ahmeti, të cilët po ashtu nëpërmjet FFK-së janë transferuar në Teutë të Durrësit, përkatësisht në Shkumbin të Peqinit, sipas Govorit, kanë pasur kontrata valide me KEK-un, respektivisht Trepçën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›