Shkodër, dyfishohet harta e përmbytjes
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Shtohen me shpejtësi shifrat e përmbytjes në rajonin e Shkodrës. Mbi 5 mijë hektarë është sipërfaqja e mbuluar nga uji, i cili vërshoi gjatë natës së të mërkurës. Shtabi i emergjencave raportoi dje dhe për 108 shtëpi të përmbytura, ndërsa 723 të tjera janë të rrethuara nga uji. Tashmë harta e përmbytjes është shtrirë në gjithë zonën e Nënshkodrës, dukë përfshirë pjesën periferike të qytetit si dhe komunat Dajç, Ana e Malit, Velipojë, Bërdicë, Bushat dhe Gur i Zi.
Situata paraqitet e rëndë në aksin rrugor Shkodër–Velipojë, në vendin e quajtur “Harku i Bërdicës”, ku ka prezencë deri në 45 cm. Kjo ka shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve të ulëta deri në bllokimin e tyre, kryesisht në orët e para të ditës së djeshme.
Fshati Obot prej dy ditësh është tërësisht i izoluar, pasi në segmentin rrugor kryesor që e lidh ketë fshat me aksin Shkodër-Muriqan, uji ka arritur deri në 70 cm. Të vetmet mjete komunikimi për banorët e Obotit janë bërë sërish varkat. Në këtë zonë, tek ura e Goricës, janë instaluar forcat e ushtrisë me mjetet e tyre lundruese dhe po monitorojnë situatën. Për banorët e këtij fshati kjo situatë është e njëjtë me atë të janarit. Ndaj, të ndodhur para një fakti të tillë, ata fillimisht po evakuojnë kafshët dhe gjënë e gjallë, pasi edhe atë pak bazë ushqimore që u arrit të sigurohej në periudhën e post-emergjencës së janarit sërish ua mori uji. Ata thonë se do të shikojnë a do të rritet më tej niveli i ujit për të vendosur për familjarët.
Komuna e Dajçit me të gjitha fshatrat e saj është e izoluar, pasi edhe në këtë komunë rrugët që e lidhin këtë komunë me aksin rrugor Shkodër-Velipojë janë të pakalueshme nga uji, niveli i të cilit ka arritur deri në 60 cm.
Gjithashtu ka pasur rritje të nivelit të lumit Buna dhe lumit Kir, duke bërë që periferia e qytetit, kryesisht lagjet “Bahçallëk” e “Ajasëm” të kenë prezencë uji që arrin deri në 1 m lartësi. Duke parë rritjen e nivelit të ujit, këtë radhë një pjesë e mirë e banorëve janë larguar pa pritur urdhrin për evakuim. Kështu janë larguar banorë nga Oboti, Dajçi dhe komuniteti rom që jeton në periferi të qytetit pranë lumit Buna. Ata janë vendosur nëpër të afërm të tyre, ndërsa në konviktet e shkollave të mesme, ambiente të vendosura në gatishmëri nga emergjencat, nuk ka pasur ndonjë shpërngulje. Gjatë ditës së djeshme, shkollat në këto zona kanë qëndruar të mbyllura dhe pritet që të mos hapen deri në një urdhër tjetër të Ministrisë së Arsimit.
Nisur nga situata e rëndë në mbarë vendin Komiteti Ndërministror i Emergjencave ka zhvilluar mbledhjen e tij në Tiranë. Strukturat e angazhuara për përballimin e situatës së krijuar në Qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve të shumta të tri javëve të fundit, janë duke vepruar në terren në zbatim të detyrave të përcaktuara nga ky komitet. Në fshatin Daragjat të Komunës Dajç po punohet për përforcimin e argjinaturës, në Bërdicë po ngrihet kampingu me 20 çadra, nëse do të ketë evakuim të banorëve të komunës. Gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar punimet në fshatin Ashtë të Komunës Bushat për përforcimin me mjete inerte, me qëllim ruajtjen nga dëmtimi të 10 shtëpive që mund të rrezikohen nga shembjet, si pasojë e gërryerjeve të lumit Drin. Në fshatrat Shirq, Daragjat e Dajç janë dërguar forca dhe mjete për evakuimin e komunitetit. Nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Forcave të Armatosura, me mjetet që disponojnë janë marrë masa për drejtimin e operacioneve të evakuim-shpëtimit.
Rrëshqitjet, në rrezik mbi 200 banesa
DURRES - Shirat e rrëmbyeshëm provokojnë sërish rrëshqitje masive dheu në Durrës. Zona më alarmante është segmenti nga ish-shëtitorja “Vollga” e deri në plazhin e Currilave, në mes të së cilës gjendet edhe godina e Universitetit “A.Moisiu”, si dhe e gjithë shëtitorja bregdetare. Pjerrësia deri në 90 gradë e kodër-vilës në këtë pjesë, shpyllëzimi si dhe dyndja e banesave informate, janë faktorët që i kanë shndërruar kodrat e Durrësit në mjaft të rrezikuara nga rrëshqitjet e tokës. Gjatë të gjithë periudhës nëntor-shkurt, nga lartësia prej 100-120 metrash e kësaj kodre janë zbrazur mbi rrugë dhe shtëpitë e mijëra metra kub baltë. Pikërisht për këtë rrezik, ALUIZNI nuk legalizon disa prej shtëpive informale, pasi ato ndodhen nën kërcënimin e vazhdueshëm të dherave. Mbi 200 shtëpi kërcënohen të mbulohen nga balta, ndërsa afro 25 të tjera janë bërë të pabanueshme, nga muret e çara si pasojë e rrëshqitjeve. E rëndë paraqitet situata edhe në “Shkëmbin e Kavajës”. o.u
“Uji vërshoi menjëherë, nuk patëm kohë të shpëtonim gjë”
SHKODER - Halil Kasemi, banor i lagjes “Ajasëm”, bashkë me familjarët e tij është detyruar të ngjitet në katet e larta të shtëpisë për të mos rrezikuar nga përmbytja. Ai tregon se uji vërshoi menjëherë, duke u ankuar se këtë herë nuk u lajmëruan në kohë për çfarë po ndodhte.
E prisnit që uji do të vërshonte sërish në lagjen tuaj? Megjithëse shenjat e para të rritjes së nivelit ishin shirat e fundjavës, prurjet më të mëdha ishin mbrëmjen e së mërkurës. Brenda pak orësh niveli i ujit u rrit me rreth 1 m. Nuk mund ta themi se nuk e prisnim një situatë të tillë, po jo kaq shpejt. Por kur pamë që uji na erdhi me shpejtësi në oborre u detyruam të ngjiteshim në katin e dytë të shtëpisë dhe kemi qëndruar zgjuar për 2 ditë me radhë të shikonim nivelin e ujit. Na shkaktoi dëme të mëdha, pasi nuk na dha kohë të largojmë sendet. Këtë herë nuk na lajmëroi njeri në kohë. Përmbytja na erdhi tamam kur po prisnim dëmshpërblimet e herës së parë, po tani ndryshon puna. Dëmi është disa herë më i madh.
Mendoni se ka ndonjë zgjidhje që lagjja “Ajasëm” të mos përmbytet më?
Unë jam banor i vjetër i kësaj lagjeje dhe mbaj mend që edhe në vitin 1963 ka pasur përmbytje, por jo si sivjet. Me aq sa e njoh unë zonën, do t’u sugjeroja drejtuesve në bashki, por edhe në qeveri (se ajo është punë e madhe dhe bashkia nuk ka aq fonde sa të ndërhyjë), të merren masa e të ndërtohet një argjinaturë në formë skarpate. Ajo të ngrihet prej zonës ku e kanë lënë e deri tek ura e Bahçallëkut, si dhe të bëhet pastrimi i shtratit të lumit Kir. Prej vitesh shtrati i këtij lumi, në afërsi të urës së Kirit, është shndërruar në vend ku hidhen të gjitha llojet e mbeturinave, si ato urbane ashtu edhe inerte. Kjo ka bërë që të ngrihet fundi i shtratit dhe me fare pak ujë të përmbytet jo vetëm lagjja jonë, por edhe Bahçallëku. Prandaj them se këto ndërhyrje do të na shpëtonin një herë e mirë lagjen “Ajasëm” nga përmbytja.
Burrel, 8 fshatra drejt izolimit
BURREL - Reshjet e ditëve të fundit kanë shkatërruar mjaft segmente rurale në Burrel. Më problematike është situata në aksin Qafa e Sarajit-Ura e Kurvajës në Derjan. Në dy-tre vende rruga ka pësuar devijime. Kreu i komunës Derjan Kujtim Kazdeda ka vënë në dijeni Drejtorinë e Rrugëve Rurale, pasi banorët janë izoluar. Shembja e mëtejshme e kësaj rruge mund të sjellë izolimin e fshatrave Derjan, Shqefën, Urxallë, Dukagjin, Macukull, Gjoçaj, Lami i Madh e Zallë Gjoçaj. Ndërkohë shirat kanë krijuar situata të rënda edhe te varrezat dhe unazën e qytetit, të cilat janë nën ujë. Oazi i madh në Fushën e Vajkalit ka rritur nivelin e ujit, duke bllokuar rrugën nacionale në periferi të qytetit të Bulqizës. As mjetet e tonazhit të lartë nuk mund të lëvizin më në unazë, ndërsa rruga për te varrezat është e bllokuar. h. p.
Ruli: Shkodra e Korça, zonat më të goditura
“Zonat më të goditura këtë herë nga përmbytjet janë ato të Shkodrës dhe të Korçës”. Këtë fakt e ka pohuar dje Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Genc Ruli, gjatë mbledhjes së Shtabit të Emergjencave Civile. Sipas tij, ndërsa në Shkodër, përmbytjet janë provokuar nga reshjet e shumta dhe shkarkimet e HC-ve, në Korçë ka ardhur për shkak të çarjes së pjesshme të argjinaturës dhe fryrjes së Devollit, duke sjellë përmbytje në zonën e ish-Kënetës. Ministri pohoi se, më e rëndësishme është parandalimi i ndonjë erozioni, përmbytje apo çarje, por tani atje ku dëmtimet kanë ndodhur paraqitet emergjente ndërhyrja. Disa komuna të Korçës e Pogradecit kanë pësuar rrëshqitje masive të tokës, për shkak të shirave të ditëve të fundit. Burime nga prefektura bënë të ditur se në fshatin Dardhas, të komunës me të njëjtin emër në Pogradec, nga rrëshqitjet masive rrezikohen të paktën 12 banesa. Dje një masiv dheu ka rrëshqitur, duke rrezikuar 12 familje në lagjen e quajtur Hamall, në Dardhas. Sipas të dhënave, dheu u është afruar në një distancë afro 30 metra banesave të këtij fshati. Të alarmuar banorët kanë kërkuar ndihmë në komunë dhe në Prefekturën e Korçës. Masa paraprake ka qenë evakuimi i këtyre familjeve. Burime nga shtabi i emergjencave në Prefekturën e Korçës, bënë të ditur se fshati Dardhas është mjaft i rrezikuar nga rrëshqitjet e herëpashershme. Ky fenomen shqetësues është shfaqur edhe në disa fshatra të tjera të rrethit të Pogradecit dhe të Korçës, ndërkohë që në Devoll rrezikon shembja e një dige të rezervuarit të fshatit Koshnicë në komunën e Mirasit. Në këtë situatë, ku një sipërfaqe e konsiderueshme tokash në fushën e Maliqit janë të përmbytura prej gati dy javësh, si dhe disa zona të tjera në Pogradec e Korçë, janë të rrezikuara nga masivet e dherave, banorët kërkojnë të ndërhyhet në mënyrë emergjente. Mjaft problematike vijon të jetë situata edhe në fushën e Maliqit, ku qindra hektarë tokë ndodhet nën ujë. g.a
Të dhënat e djeshme të përmbytjes
Bashkia Shkodër
50 ha tokë të përmbytur, 5 shtëpi të përmbytura dhe 27 të tjera të rrethuara nga uji
Komuna Dajç
1600 ha tokë të përmbytur, 35 shtëpi të përmbytura dhe 150 të tjera të rrethuara nga uji
Komuna Ana Malit
1000 ha tokë të përmbytur, 15 shtëpi të përmbytura dhe 165 të tjera të rrethuara nga uji
Komuna Velipojë
700 ha tokë të përmbytur, 53 shtëpi të përmbytura dhe 150 të tjera të rrethuara nga uji
Komuna Bërdicë
1000 ha tokë të përmbytur dhe 71 shtëpi të rrethuara nga uji
Komuna Bushat
700 ha të përmbytura dhe 30 shtëpi të rrethuara nga uji
Komuna Gur i Zi
300 ha të përmbytura dhe 130 shtëpi të rrethuara nga uji
Hidrocentralet, 1250 m3 ujë në zonën e Nënshkodrës
Nertila Maho
Kaskada e Drinit ka shtuar nivelin e shkarkimeve, ndërkohë që prurjet janë paraqitur më të reduktuara. Në Fierzë, ku niveli ka arritur rreth 294 metra, kanë vazhduar shkarkimet nga tuneli në kuotën e 550 m3/s, ndërkohë që prurjet kanë qenë rreth 900 m3/s. Drejtori i KESH, Mauharrem Stojku tha dje për “Panoramën” se situata në kaskadë është e kontrolluar dhe ka tendencë përmirësimi, por gjithsesi kjo varet edhe nga vijueshmëria e motit. Krahasuar me një ditë më parë, situata ditën e djeshme është paraqitur më e qetë duke qenë se prurjet janë përgjysmuar. Ndërkohë që paralelisht me Fierzën kanë vijuar edhe shkarkimet në Koman dhe në Vaun e Dejës, në doza pak më të rënduara se disa ditët më parë. Niveli i Komanit dje shënonte 171.46 metra me prurje në kuotën 500 m3/s dhe me shkarkime 900 m3/s. Po kështu edhe Vau i Dejës dje ka paraqitur një nivel pak më të ulët se dy ditë më parë, duke shënuar 74.97 metra me prurje 180m3/s dhe me shkarkime rreth 1250 m3/s. Sekretariati Teknik vendosi dy ditë më parë hapjen e tunelit shkarkues në Fierzë pas rritjes së prurjeve, të cilat arritën një nivel rekord në më shumë se 3000 m3/s. Në ndryshim nga Fierza, në liqenet e hidrocentraleve të Komanit dhe Vaut të Dejës, shkarkimet filluan një javë më parë. Kjo erdhi si rezultat i rritjes së prurjeve me hapjen e portave të Drinit të Zi për uljen e liqenit të Ohrit në Maqedoni. Në shtetin fqinj, rritja e liqenit mbi nivelin maksimal është kthyer në një makth. Ohri dje ka shënuar një nivel 20 centimetra mbi nivelin maksimal sezonal të lejuar, çka ka përhapur panik. Vetë kryebashkiaku i Ohrit, sipas agjencisë rajonale “Fokus”, ka kërkuar ndihmë për ndërhyrje. Nëse kushtet e motit favorizojnë rritjen e mëtejshme të Ohrit, me shumë mundësi Maqedonia do të vazhdojë shkarkimet e liqenit, të cilat në fillim i la në një kuotë modeste prej 50m3/s.
Situata dje (ora 17:00)
Fierza
Prurjet 900 m3/s
Niveli i liqenit 293.94 metra
Niveli maksimal 296 metra
Derdhjet porta 550 m3/s
Turbinat në punë 4
Komani
Prurjet 500 m3/s
Niveli i liqenit 171.46 metra
Niveli maksimal 175 metra
Derdhje porta 900 m3/s
Turbina në punë 4
Vau i Dejës
Prurjet 180 m3/s (anësore)
Niveli i liqenit 74.97 metra
Niveli maksimal 76 metra
Derdhjet porta 1250 m3/s
Turbina në punë 5
Prodhimi 26.6 milion kwh
Eksporti(24.02.2010) 10.5 milion kwh