Strategjia për Veriun e Kosovës, në dilemë përfshirja e Beogradit
Blerina Olldashi
Ende pa u publikuar versioni final i strategjisë, që synon marrjen e kontrollit të Veriut nga Kosova, hije dyshimi bien mbi bashkëpunimin mes Kosovës dhe Serbisë. Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila është bashkëhartuese e strategjisë së bashku me Qeverinë propozoi që edhe Beogradi të ishte i pranishëm në bisedimet dhe realizimin e planit, por ajo që shihet me mëdyshje nga analistët është se kjo e fundit kurrsesi nuk do të binte dakord me propozimet e qeverisë kosovare për integrimin e Veriut. Analisti Ilir Deda, njëherësh, drejtor i Institutit KIPRED, thotë se Serbia nuk është pala që ndihmon këtë proces. “Strategjia nuk mund të zbatohet në bashkëpunim me Serbinë dhe Serbia nuk ka interes që të shohë integrimin e veriut në sistemin juridik, kushtetues të Kosovës. Serbia nuk është aktor, i cili do ta ndihmojë këtë proces, ndërkohë që e meta e kësaj strategjie është se nuk janë paraparë mekanizmat për zbatimin e saj, e në radhë të parë nuk janë të paraparë mekanizmat për largimin e aparatit shtetëror serb në fushën e sigurisë, apo, si i themi ne, strukturat paralele të sigurisë, që veprojnë në veri të Kosovës”, shprehet Deda. Por, qëndrim ndryshe mban analisti tjetër politik, Ramush Tahiri, i cili konsideron se integrimi i veriut mund të bëhet nëse merret pëlqimi jo vetëm i serbëve lokalë, por edhe i Serbisë. “Pa pëlqimin e serbëve lokalë është vështirë të zbatohet dhe atëherë dalin opsione të tjera të ndarjes territoriale e të tjera, ndërsa është interes i Beogradit që të kyçet në strategjinë, sepse kemi të bëjmë me komunitetin serb, i cili në numër është i vogël dhe nuk mund t’i plotësojë nevojat pa ndihmën e Beogradit. Edhe ashtu është paraparë me një varg ligjesh, si Ligji për arsim, financa, kulturë, shëndetësi, kyçja e Serbisë dhe e kuadrove të Serbisë në Kosovë”, thotë Tahiri. Ndërsa Beogradi kundërshton me ngulm strategjinë për integrimin e veriut, Ramush Tahiri shkon më larg, duke thënë se në të vërtetë integrimi i pjesës veriore, duhet bërë përmes një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë. “Kosova dhe Serbia duhet të kenë një marrëveshje në këtë punë, që në dobi të qytetarëve lokalë, të ndihmojë edhe mirëqenien e tyre, por edhe integrimin në institucionet e Kosovës”, thekson Tahiri. Ndërkaq, Ilir Deda thotë se nëse këtë vit nuk arrihet që të integrohet pjesa veriore e Kosovës, atëherë rriten gjasat për bisedime për veriun, bisedime këto të kërkuara nga Beogradi zyrtar. Beogradi, si dhe serbët e pjesës veriore kanë kundërshtuar strategjinë për veriun, e cila parasheh vendosjen e ligjshmërisë në pjesën veriore të Kosovës. Sipas dokumentit, janë disa pika bazë, mbi të cilat do të veprojë Qeveria në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë: krijimi i komunës veriore të Mitrovicës përmes zgjedhjeve që do të mbaheshin kah mesi i këtij viti, organizimi i zgjedhjeve lokale në tri komunat tjera veriore të Kosovës, margjinalizimi i strukturave paralele, mbyllja e zyrës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës, si dhe forcimi i pranisë së EULEX-it në pjesën veriore.
27 Janar 2010