Do protestojmë me Bankën Botërore kundër Naftës
Aleanca për gjirin e Vlorës ka paralajmëruar sot një protestë përpara pallatit të sportit kundër veprave të naftës
VLORË- Mbërritja e një ekipi të bankës botërore, ndez sërish protestat e Aleancës për mbrojtjen e gjirit të Vlorës. Protesta pritet të zhvillohet paraditen e sotme para pallatit të sportit Flamurtari, ndërkohë që pritet t'i bashkohen asaj shumë qytetarë nga Vlora. Në një deklaratë për shtyp të Aleancës ditën e djeshme pohohet se "një ekip i Bankës Botërore ka ardhur të inspektojë zhvillimet që lidhen me TEC-in dhe Petroliferën. Zëri i qytetarëve vlonjatë i shprehur nga aleanca qytetare për mbrojtjen e gjirit të Vlorës, i ka shqetësuar ata. Të mblidhemi ditën e premte para pallatit të sportit dhe t'iu tregojmë atyre se Vlora nuk e do industrinë e naftës. T'iu tregojmë atyre se këto investime janë në vendin e gabuar dhe po kryhen pa lejen e qytetarëve vlonjatë. T'iu tregojmë edhe pushtetarëve tanë se vlonjatët janë të vendosur ta çojnë deri në fund rezistencën e tyre deri në referendum". Po kështu prej disa ditësh aleancistët kanë vendosur në disa pika formularë duke ftuar qytetarët të japin mendimet e tyre për ecurinë e mëtejshme dhe hapat që duhen ndjekur në lidhje me veprat me bazë nafte, bashkimit për referendum si dhe pyetësorëve të tjerë. Qëllimi i këtyre pyetësorëve, sipas aleancistëve, është konsultimi me një bazë të gjerë qytetarësh në lidhje me veprat me bazë nafte. Në shumicën e tyre qytetarët shprehen se vetëm Referendumi është zgjidhja. Deri tani janë grumbulluar mbi 5000 firma si dhe mendime se si aleanca duhet të punojë në të ardhmen, si dhe shumica e mendimeve të qytetarëve janë që Aleanca duhet të përshkallëzojë protestat si dhe të marrë masa drastike deri në bllokimin e rrugës nacionale Vlorë- Fier pikërisht tek Ura e Mifolit. Por nuk kanë munguar dhe opinione të tjera në lidhje me vetë zhvillimet e Vlorës, sërish këto pro turizmit. Sipas aleancistëve, tashmë po punohet në dy drejtime, në arritjen e ndërprerjes së punimeve, si dhe fitimin e së drejtës për Referendum. Po sipas tyre po punohet edhe në rrugë institucionale, nëpërmjet juristëve për përfaqësimin e çështjes në gjykatën e Strasburgut.