Fier, zbulohet laboratori i drogës dhe 900 gramë heroinë
Lënda narkotike dhe pajisjet për ndarjen e saj janë gjetur në banesën e 24-vjeçarit Fatjon Hoxha në fshatin Zhupan
FIER- Policia e Fierit ka zbuluar dje një laborator droge të ngritur në një banesë në fshatin Zhupan. Rreth një kilogram lëndë narkotike e dyshuar të jetë heroinë si dhe të gjitha pajisjet e nevojshme për paketimin dhe shpërndarjen e saj janë gjetur dje nga policia lokale. Pas zbulimit të laboratorit, policia ka arrestuar edhe 24-vjeçarin Fatjon Hoxha. Ky i fundit akuzohet tashmë për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Burimet zyrtare të policisë së Fierit pohuan se pak kohë më parë kishin kapur disa shpërndarës të vegjël heroine. Gjatë marrjes së tyre në pyetje ishte mësuar se droga blihej nga një 24- vjeçar që banonte në fshatin Zhupan të këtij rrethi. Me të marrë këtë informacion, hetuesit fierakë janë vënë në kërkim të laboratorit të drogës në këtë fshat. Agjentët civilë të policisë kanë bërë disa kontrolle në fshat dhe kanë arritur që të zbulojnë në rrugë operative se heroina bëhej gati nga shtetasi Fatjon Hoxha. Për këtë arsye, të gjitha veprimet e këtij personi janë mbajtur nën vëzhgim konstant nga ana e hetuesve të antidrogës. Informacioni i fundit i policisë tregonte se në banesën e këtij shtetasi do të ndodhej një sasi lënde narkotike dhe mëngjesin e djeshëm policia ka ndërhyrë duke bërë një kontroll të befasishëm. Uniformat blu fierake kanë gjetur në banesën e 24-vjeçarit Fatjon Hoxha tre qeska plastmasi me një lëndë të dyshuar si heroinë. "Gjatë kontrollit të banesë është gjendur dhe sekuestruar një sasi prej 900 gram pluhur me ngjyre bezhë e dyshuar si lëndë narkotike e llojit heroinë",- thanë dje burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, përveç drogës në banesën e 24- vjeçarit janë gjetur edhe të gjitha pajisjet e nevojshme për ndarjen dhe paketimin e lëndës narkotike në doza më të vogla. "Në banesë janë gjetur një peshore farmacie që shërben për ndarjen e lëndës narkotike si dhe 375 qese të vogla farmaceutike prej plastmasi, në të cilat mund të futen dozat e lëndës narkotike. Të gjitha këto materiale janë sekuestruar në cilësinë e provës",- thanë burimet e policisë lokale. Sipas tyre, një dosje e plotë me të gjithë aktivitetin e të riut nga fshati Zhupan dhe materialet e sekuestruara si prova në banesën e tij i janë dërguar prokurorisë së Fierit për të kryer hetimet e mëtejshme të kësaj çështjeje.