Si të planifikojmë familjen
Rrugët për të shmangur shtatzënitë e padëshiruara
USAID, program për përdorimin e kontraceptivëve
Një grua 56 vjeçe, me banim në zonën e Bathores, nënë e 6 fëmijëve, e shqetësonin herë pas here dhimbje në fundbark. Shkon për një vizitë tek mjeku dhe informohet se ishte shtatzënë. Nuk e priste t’i ndodhte një gjë tillë, pasi kishte kohë që cikli menstrual ishte i çrregullt dhe fëmijët e saj tashmë ishin rritur aq sa për tu bërë prindër vetë. Historia vjen e rrëfyer nga mjekja që ka ndjekur deri edhe lindjen e këtij fëmije. Lindita Myzyri, mjeke obstetër-gjinekologe, tregon se gruaja nga Bathorja do ta kishte shmangur këtë shtazani të padëshiruar nëse ajo do të dinte të bënte planifikimin familjar. Por jo vetëm një grua, që jeton në periferi të kryeqyteti apo në skaje të largëta të vendit, por shpesh edhe ato që jetojnë e punojnë në mes të kryeqytetit nuk kanë informacionin e duhur sa rëndësi ka që një familje të planifikojë të ardhmen për të sjellë në jetë fëmijë në kohën e duhur.
Për t’u ardhur në ndihmë familjeve shqiptare, me qëllim që jeta në çift të jetë e shëndetshme dhe e sigurt, USAID-i prej vitesh aplikon në vendin tonë projekte për planifikimin familjar. Këto kanë synuar të rrinin numrin e individëve që përdorin kontraceptivët, me anë të fushatave sensibilizuese. Myzyri thekson se metodat kontraceptive jo vetëm planifikojnë të ardhmen e familjes, por ato kanë një rëndësi të veçantë, pasi gratë që i përdorin, janë më të mbrojtura dhe më pak të rrezikuara për t’u prekur nga kanceri i gjirit apo i mitrës. “Në një sondazh që është zhvilluar në mes 1000 grave që kanë përdorur kontraceptivë dhe 1000 të tjera që nuk i kanë përdorur ata, ka rezultuar se gratë që kanë marrë kontraceptivë nuk rezultoi asnjëra të prekura me kancer. Ndërkohë që në 1000 gratë që nuk kishin përdorur ato rezultuan disa prej tyre të prekura me kancer”, - ka rrëfyer doktoreshë Myzyri.
USAID Albania, me programin C-Change FP,
fushatë për planifikimin familjar
USAID/Albania ka ngarkuar Academy for Educational and Development, Uashington DC, përmes programit C-Change FP për të zbatuar në Shqipëri iniciativën për të rritur metodat e përdorimit të kontraceptivëve. Sipas këtij programi, nga sondazhet e kryera, vihet re se kohët e fundit, përdorimi i metodave kontraceptive bashkëkohore tek çiftet shqiptare ka pësuar rritje, por akoma nevojitet shume për t’u bërë në këtë drejtim. Vlerësimet/studimet e kohëve të fundit (Demographic Health Survey 2002 apo Pro Shëndetit 2005) tregojnë që përdorimi i metodave kontraceptive bashkëkohore është rritur nga 8% në vitin 2002 në afërsisht 15% në vitin 2008). Studimi i kryer në vitin 2005 në tre prefektura (Pro Shëndetit, "Knowledge and Use of Contemporary Methods of Contraception 2002 and 2005"), tregoi nivel të ulët të njohurive mbi metodat kontraceptive si tek gratë ashtu dhe tek burrat. 40% e burrave dhe grave të moshës riprodhuese nuk kishin dëgjuar për kontracepsionin me injeksion, ndërsa 60% e tyre nuk kishin dëgjuar për spiralen (IDU). Mungesa e ulët e informacionit ka ndikimin e vet, si në nivelin e ulët të ndërgjegjësimit por dhe në besimin që njerëzit kanë në lidhje me metodat kontraceptive bashkëkohore. Si rezultat i kësaj situate, USAID/Albania ka ngarkuar Academy for Educational and Development, Washington DC, përmes programit C-Change FP in Albania të zbatojë në Shqipëri iniciativën për rritjen e përdorimit të metodave kontraceptive bashkëkohore kundrejt atyre tradicionale. Kjo iniciativë, e cila zbatohet për herë të parë në Shqipëri, do të fokusohet në rritjen e përdorimit të metodave kontraceptive bashkëkohore, dhënien e informacioneve të sakta dhe shkencore në lidhje me efektet e zakonshme anësore që shfaqen nga përdorimi i këtyre metodave, si dhe reduktim përdorimit të metodave tradicionale kontraceptive si metodë mbrojtëse ndaj shtatzënive të paplanifikuara.