E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacini kundër Amaurit: Nuk është italian!

Lufta për një vend në repartin e avancuar të Italisë është bërë e ashpër dhe Pacini do të luajë shanset e tij të mërkurën në miqësoren kundër Suedisë, ku do ta nisë ndeshjen si titullar. Por midis rivalëve që pretendojnë të bindin Marçelo Lipin, është edhe Amauri, që së shpejti pritet të marrë pasaportën italiane.

Megjithatë, sulmuesi i Sampit mohon të ndihet i kërcënuar nga bomberi juventin: “Në këtë moment nuk ndihem në balotazh me Amaurin, sepse unë jam italian dhe ai brazilian. Më duhet të them se kjo situatë më bezdis pak. E kuptoj dikë që është gjysmë italian dhe gjysmë brazilian, por jo dikë që nuk është fare italian”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të federatës së futbollit në Itali, Xhankarlo Abete: “Baza ku duhet të referohemi sot është nënshtetësia. Nëse një lojtar ka nënshtetësinë italiane, i ka të gjitha të drejtat të grumbullohet në kombëtare. Nuk duam të humbasim identitetin tonë, por gjithashtu nuk duam as të diskriminojmë”.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›