Pack: Aksioni i Vetëvendosjes, çmenduri
Aksioni i Lëvizjes Vetëvendosje, i paralajmëruar për më 14 janar me moton “Serbia nuk kalon” është çmenduri që duhet parandaluar, ka deklaruar për mediat kosovare eurodeputetja gjermane, Doris Pak. Sipas saj, Albin Kurti me lëvizjen e tij duhet të sillen ndryshe e jo t’i imitojnë serbët e veriut.
“Unë mendoj se kjo është çmenduri. Është çmenduri dhe duhet parandaluar. Ata duhet të sillen ndryshe e jo siç sillen serbët në veri të Kosovës. Për mua është e papranueshme. E gjitha kjo nuk i ndihmon në asnjë mënyrë zgjidhjes së problemeve në Kosovë. Ky aksion e kthen prapa Kosovën”, ka thënë Pak.
Ajo ka shtuar se aksioni “Serbia nuk kalon”, dëshmon mosrespektin për ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Ndjehem e turpëruar si deputete kur deputetët në Kosovë marrin nisma të tilla. Nuk mund ta pranoj që Albin Kurti bën gjëra të tilla. Kjo dëshmon mosrespektimin e Kushtetutës dhe të ardhmes së Kosovës”, ka konkluduar Doris Pak. / Kosova. com