E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pack: Dialogu politik është i nevojshëm

Eurodeputetja Doris Pack në një intervistë për Deutsche Welle deklaron publikisht se situata në Shqipëri është e tensionuar, kjo duke reflektuar thirrjet e opozItës për protestë dhe largimit të Ilir Metës nga funksionet e tij.
 

“Situata është e trishtueshme. Eshte në rregull që Ilir Meta dha dorëheqjen. Por në Shqipëri ka vazhdimisht të akuzuar për korrupsion, vazhdimisht njëra palë fajëson tjetrën. Natyrisht që opozita e shfrytëzon këtë sa të mundet, por kjo e tëra mund të rezultojë në bumerang. Por e trishtueshme është që situata politike në Shqipëri e bën të vështirë punën. Shumë ligje nuk kanë mundur të miratohen në parlament për shkak se kërkohet një shumicë votash, më e madhe se sa fraksionet qeveritare. E tëra klima politike është helmuar. Kur lexon gazetat e përditshme, pyet kur do të marrë fund kjo dhe kur qytetarët e Shqipërisë do ta humbasin durimin. Protestat e vazhdueshme të opozitës dhe kërcënimet janë tërësisht kontraproduktive. Unë mund të them se situata tani në Shqipëri është për të ardhur keq”.
 

Ndërkaq, Pack ka folur dhe për protestat në 21 janar të opozitës duke shtuar se kjo mënyrë nuk tregon politikë.
“Kjo është një lojë e paparë në kurriz të popullit. Njerëzit presin që deputetët që ata i kanë votuar të bëjnë politikë, të flasin në parlament për problemet e tyre. Kur je në opozitë nuk mund të arrish të gjitha ato kur je në qeveri. Por kjo është normale në çdo sistem demokratik. Dhe këto protesta nuk ndihmojnë askënd dhe veç kësaj dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. Dialogu politik do të ishte i domosdoshëm. Por politikanët duhet të jenë të gatshëm të punojnë për këtë. Ata duhet të jenë të hapur po ashtu për një dialog. Që të jesh i hapur do të thotë që të bësh kompromis dhe jo vetëm të protestosh”.
 

Pack ka folur dhe për kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme, nëse do të ishte një zgjidhje përfundimtare, duke vlerësuar se:
“Nëse ato përfundojne me rezultatin e fitores së socialistëve, atëherë ata do të kenë arritur atë çka duan, por në këtë moment situata do të ishte e tillë ku opozita e përbërë nga partia demokratike dhe parti të tjera do të ngrinin pyetjen a mund te njihet kjo qeveri. Pra loja politike është shumë e keqe. Në demokraci duhet të pranosh që ke një shumicë apo që je në një pakicë. Kështu është për të gjithë në të gjithë vendet. Por kjo nuk i përshtatet politikanëve në Shqipëri që nuk kanë sens demokratik. Kush e ka pushtetin do ta ushtrojë atë dhe të tjerë dëshirojnë që ai të mos e ushtrojë pushtetin. Kjo është një lojë e tmerrshme dhe në qoftë se të dyja palët nuk i japin fund sa më shpejt kësaj, do të jetë shumë e errët e ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ne presim që politikanët në këtë vend të flasin me njëri-tjetrin, që të zgjidhin me njëri-tjetrin problemet dhe jo vetëm me kokëfortësi dëshirojnë vetëm të protestojnë dhe me protesta duan të rrëzojnë qeverinë, një qeveri që është legjitime në punë dhe duhet të vazhdojë punën. Protestat mund të bëhen kundër projektligjeve të veçanta, por jo kundër një qeverie që është në detyrë për të cilën nuk mund të thuash që e ka këtë detyrë në mënyrë të paligjshme” tha Pack.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›