E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët rithejnë në KQZ komisionerët e "Dushkut"

24/11/2004  Socialistët propozojnë për anëtar të Komisionit Zgjedhor të Qeverisje Vendore komisionerët e "Dushkut" të zgjedhjeve të vitit 2001. Emri i Agim Kadiut, ish-nënkryetarit të KZQV-së në vitin 2001, është risjellë edhe një herë në skenë nga socialistët në KQZ, këtë herë për postin e sekretarit të KZQV-së të po kësaj komune. Propozimi i palës socialiste në këtë komision për emrin e Kadiut, ka risjellë debatet lidhur me atë që më pas mori emrin "fenomeni i Dushkut", nga ku morën mandatin 12 deputetë.

Vendimi

Përfaqësuesit e opozitës pranë KQZ e kanë kundërshtuar kandidaturën e Agim Kadiut, duke e etiketuar atë si një nga komisionerët e akuzuar për manipulimet në zgjedhjet parlamentarë të para 3 vitesh. Ferdinant Poni është shprehur gjatë debateve se "nuk mund të emërojmë në krye të KZQV-së një person, që i është bërë kallëzim penal në gjykatë për manipulim të zgjedhjeve". Me këtë argument, ai ka kërkuar shqyrtimin e një kandidature tjetër për këtë post kyç në zhvillimin e zgjedhjeve. Megjithatë, propozimi i Ponit është hedhur poshtë nga një pjesë e anëtarëve të KQZ-së, pasi, sipas tyre, çështja në ngarkim të Agim Kadiut është pezulluar, dhe gjykata e ka shpallur të pafajshëm për këto akuza. Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve të komisionerëve socialistë, seanca për zgjedhjen e kryetarit u shty për një ditë tjetër. Kjo sepse përfaqësuesit e opozitës hodhën akuza për trafik narkotikësh. Për këtë çështje është premtuar paraqitja e dëshmisë së penalitetit. Ishte pikërisht ky moment që ndërroi dhe kursin e seancës. Anëtari i KQZ-së, Pandeli Varfi, u shpreh gjatë diskutimeve se "në këto kushte nuk dimë se si të votojmë, prandaj të presim derisa të na vijnë provat në sallë, dhe pastaj të vendosim". Dushku ishte zona që në zgjedhjet e përgjithshme "prodhoi" 12 deputetë, sepse votuesve socialistë të kësaj zone iu bë thirrje që në listën e partive të votonin për aleatët e PS-së, me qëllim që të përfitohej nga proporcionali. Një veprim i tillë është cilësuar i paligjshëm, gjë që në reagimin e ndërkombëtarëve u pasua me kërkesën për miratimin e një Presidenti konsensual.

Përplasja

Debati i zhvilluar dje në KQZ, ka të bëjë me rizhvillimin e zgjedhjeve lokale në komunën e Dushkut. Pas ankesave të opozitës se në këtë zonë ishin bërë manipulime gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të Pushtetit Vendor, ku kryetar komune u zgjodh kandidati i PS-së, Zylfo Dyrmishi, u vendos rizhvillimi i votimeve. Megjithë zhurmën e bërë për komunën e Dushkut, socialistët kanë vendosur që të zbresin me forca të mëdha në fushatë. Burimet thanë se sekretarët socialistë do të nisin këtë javë fushatën zgjedhore që do të përfundojë me votimin më 12 dhjetor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›