Pack: Njohja e Kosovës nga Serbia, zgjidhja më e mirë

Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, ka thënë se rezultati më i mirë i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit do të ishte që Serbia të njihte Kosovën. Pack ka thënë se nëse dëshiron t`i bashkohet BE-së, me të arritur në përfundim të këtij procesi, i cili do të zgjasë disa vite, Serbia duhet të dëshmojë se ka normalizuar raportet me Kosovën.
“Nuk mund të hysh në Bashkimin Evropian pa vendosur raporte miqësore me fqinjët e parë. Por, se si do të rregullohen këto raporte, kjo është çështje krejt tjetër”, ka thënë Pack në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
E pyetur nëse mendon se Serbia, në fund të atij procesi për anëtarësim, duhet ta njohë zyrtarisht Kosovën, Pack ka thënë: “Këtë do ta shohim në fund të procesit dhe kjo do të varet nga zhvillimi i situatës”.
“Aktualisht, po zhvillohet një dialog ndërmjet dy palëve. Nëse pala serbe dhe ajo kosovare arrijnë aranzhime dhe zgjidhje, me të cilat do të lehtësohej jeta e përditshme për qytetarët në Kosovë, kjo do të ishte e mirëseardhur. Por, se çfarë do të ndodhë në fund të bisedimeve me Serbinë, kjo nuk mund të thuhet tashmë” ka thënë me tej Pack.