E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pack: “Protestat po pengojnë liberalizimin e vizave”

Autori i Lajmit: Redaksia

Eurodeputetja Doris Pack ka folur dje në lidhje me situatën politike në Shqipëri duke fajësuar Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Doris Pack, deputete e PE, ka thënë se me qëndrimin që po mban, me protestat dhe veçanërisht me grevën e urisë dhe mungesën e Parlament, sipas saj, Edi Rama është duke penguar vendin në përpjekjet për liberalizimin e vizave. “Qëndrimi i zotit Rama po pengon heqjen e vizave”,- ka thënë Doris Pack, duke shtuar se gjendja aktuale politike në Shqipëri është shumë shqetësuese. Sipas Doris Pack, Edi Rama me sjelljen e tij të pakuptueshme, po pengon heqjen e vizave dhe anëtarësimin e vendit në BE. Në një intervistë për median shqiptare në Kroaci, ku zonja Pak ishte ftuar në Universitetin e Zagrebit, eurodeputetja u shpreh se “brenda Partisë Socialiste duhet të ngrihen zërat kundër lëvizjeve të fundit të Ramës, pasi ajo që Kryetari i Partisë Socialiste po bën nuk është në interesin e vendit”. “Është fatkeqësi e vërtetë në një vend modern që një udhëheqës i një partie politike të mbajë peng një vend të tërë dhe partinë e tij. Brenda Partisë Socialiste është e nevojshme që të fillojë një lëvizje për ti treguar liderit të PS që rruga që ai ka zgjedhur nuk është ajo për të cilën vendi ka nevojë. Situata e krijuar nuk mund të zgjidhet në rrugë, por vetëm në Parlament, kjo duhet të jetë e qartë”, - u shpreh eurodeputetja Pack. Ajo ka theksuar më tej se sjellja e opozitës po prish imazhin e Shqipërisë në sytë e partnerëve evropianë. Këtë qëndrim të saj eurodeputetja pak ia ka shprehur edhe kryeministrit Berisha me të cilin ajo u takua rastësisht në Zagreb, ku shefi i qeverisë shqiptare po merr pjesë në takimin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të rajonit anëtare të BERZH-it.

Ky lajm është publikuar: 15/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›