E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Urdhërohen punonjësit të jenë pjesë e protestës”

16/11/2009  Kritikat e drejtuesve të PD-së për kreun e Bashkisë së Durrësit

Për demokratët, Dako detyron vartësit e tij t’i bashkohen tubimit të PS-së

PD-ja e Durrësit ka kritikuar veprimin e kryetarit të Bashkisë Vangjush Dako, i cili një ditë më parë ka urdhëruar gjithë administratën e tij të marrë pjesë në protestën e PS-së në Tiranë. Zëdhënësja e selisë blu në Durrës, Dejana Burgia, ka theksuar se punonjësit e Bashkisë me apo pa dashje janë vënë përballë presionit të kryetarit Dako për të shtuan numrin e anëtarëve në mitingun politik të Edi Ramës. “Persona pranë kryetarit të Bashkisë kanë bërë apel në derën e autobusëve për të mbajtur shënime me listën e punonjësve të Bashkisë në dorë”, - ka deklaruar Burgia. Në orët mëngjesit 4 autobusë të parkut të urbanëve në Durrës janë sistemuar pranë muzeut të dëshmorëve dhe rreth orës 9:45 janë nisur për në Tiranë. Në këta autobus kanë hipur një nga një punonjësit e administratës dhe disa militantë të njohur të PS-së në Durrës. Sipas zëdhënëses për shtyp në PD-në e Durrësit, “Dako ka ushtruar presion, duke i paralajmëruar vartësit e tij se do të pushohen nga puna, nëse nuk shkojnë në mitingun e Tiranës. Gjatë konferencës për medien Burgia ka akuzuar Dakon lidhur me gjendjen kritike të infrastrukturës në qytet, duke i kërkuar atij të tregojë vëmendje për pastërtinë në qytet, për rikonstruksionin e rrugëve dhe shkollave si dhe të ndalojë sa më parë betonimin nga ndërtimet pa leje. Pas denoncimit nga PD-ja lidhur me presionin e Dakos ndaj administratës për qëllime politike, ka ardhur edhe reagimi i Kryetarit të bashkisë. Vangjush Dako ka pranuar se ka kërkuar që e gjithë administrata e tij të shkojë në shesh për të protestuar. “Qeveria do të shkurtojë 40 për qind të administratës dhe ne u kemi kërkuar punonjësve të dalin kundër këtij vendimi”, - ka thënë Dako.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›