E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama kushte Berishës për pushtetin vendor

16/11/2009  Kampi i majtë e shtrin oponencën edhe në nivel lokal

Pushtetarët lokalë të PS-së nisin protestat kundër vendimeve të qeverisë

E majta e shtrin oponencën e saj ndaj qeverisë “Berisha” në nivel lokal. Paralel me protestat e opozitës për hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit tashmë ky kamp startoi dhe një tjetër aksion kundrejt qeverisjes aktuale, por kësaj radhe e ndërmarrë nga pushtetarët vendorë të Partisë Socialiste. Dje të zgjedhurit vendorë të kësaj partie zhvilluan protestën e parë, ku kundërshtuan vendimet e ekzekutivit për biznesin e vogël dhe taskat vendore. Sipas drejtuesve vendorë të PS-së, një gjë e tillë shkel autonominë vendore. Ndërkohë gjatë këtij tubimi socialistët lëshuan një apel publik për kryeministrin Berisha, duke i lënë një afat të përcaktuar kohor mbi realizimin e kërkesave tyre. Në të kundërt protestat do të vijojnë, duke përshkallëzuar më tej aksionin e tyre. Anulimi i vendimit për biznesin e vogël dhe amendamenteve për taksat vendore që shkelin autonominë e pushtetit lokal, ishin kërkesat kryesore që krerët e bashkive dhe komunave të zgjedhur nga radhët e PS-së i bënë kryeministrit Sali Berisha. Në gjykimin e tyre, vendimi i qeverisë për të kthyer bizneset e vogla me të ardhura 5 milionë lekë në biznese të mëdha do të ishte një katastrofë për buxhetin e pushtetit lokal. “Në rast se Berisha vendos të miratojë vendimin që kalon biznesin e vogël në biznes të madh të gjitha bizneset e vogla që bëjnë xhiro 5 milionë lekë, situata do të jetë dramatike”, - vlerësoi kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në këtë protestë. Sipas tij, nëse do të miratohej një vendim i tillë, dëmi do të jetë për të dyja palët. “Ky vendim do të bënte që 8 mijë e ca subjekte të kalonin në biznes të madh, duke paguar më shumë taska, që do të shkonin në xhepat e qeverisë. Përveçse këto biznese i priste falimentimi, pasi nuk do të përballonin taksat, humbja që i shkakton vetëm Tiranës është një vlerë e madhe - e barabartë me pastrimin e 500 ditëve të qytetit të Tiranës”, - vlerësoi kryebashkiaku Rama. Ndërkohë, ndalur në apelin publik drejtuar kryeministrit Berisha, që u firmos nga të gjithë kryetarët e bashkive të PS-së, Rama i mëshoi me forcë faktit se, nëse nuk realizohen kushtet e vëna deri më 5 dhjetor, protestat do të vijojnë në të gjitha sheshet e vendit, deri në plotësimin e tyre. “Sot kemi mbërritur në pikën kur kërcënohen të gjitha funksionet bazë të qeverive tona, pasi bashkitë nuk u përgjigjen qytetarëve as për shërbimin elementar të pastrimit. Deri më sot prononcimet tona publike, shqetësimet tona të ngritura në emër të të gjitha komuniteteve, Kushtetutës, përgjegjësive tona kanë rënë në vesh të shurdhër. Në këtë apel publik pyesim: deri kur do të vazhdojë marrëdhënia e shkatërruar e pushtetit vendor me atë qendror? Nga paaftësia e qeverisjes qytetarëve të Tiranës, dhe jo vetëm atyre, u shkaktohen gjithnjë e më shumë probleme. Qeveria nuk do dhe nuk di ti zgjidhë problemet. Ne kërkojmë angazhimin tuaj për plotësimin e 5 kushteve tona deri më 5 dhjetor”, - deklaroi Rama në fjalën e tij. Ndërkohë në apelin publik kërkohej ti jepet fund praktikës joevropiane, korruptive, klienteliste e partiake të granteve konkurruese për nevojat e funksionet bazë të njësive vendore dhe pjesa e buxhetit të shtetit për njësitë vendore të ndahet në bazë të një formule bashkëkohore kriteresh objektive, ku të gjitha bashkitë dhe komunat marrin çfarë u takon, pavarësisht nga ngjyra e tyre politike. Po kështu kërkohet të aplikohen më në fund taksat e ndara, ashtu siç e përcakton ligji organik i qeverisjes vendore këtu e dhjetë vjet më parë lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive.

Kërkesat

Të anulohet amendamenti i majit 2009 në ligjin bazë të taksave e tarifave vendore, ku qeveria, në mënyrë antikushtetuese, ndërhyri direkt në përcaktimin e nivelit të tarifave.

Të bëhet më në fund, bazuar në të drejtën tonë legjitime, pse jo edhe në premtimin tuaj të përsëritur çdo vit, kompensimi i të ardhurave të munguara 5 vjet me radhë në arkën e bashkive e komunave nga përgjysmimi arbitrar i taksës së biznesit të vogël në vitin 2005.

Të anulohet vendimi i tetorit 2009, që në kulmin e krizës ekonomike bizneset e vogla me xhiro nga 5 në 8 milionë nuk i klasifikon më si të tilla, po si biznese të mëdha, që futen në një skemë detyrimesh tatimore të papërballueshme për ta, duke i çuar masivisht drejt falimentimit dhe duke u dhënë një goditje të papërballueshme buxheteve vendore, që mbahen në radhë të parë me kontributet e biznesit të vogël.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›