Pacolli: Epopeja e 24 marsit në Gllogjan, nuk njeh harresë
Epopeja e Dukagjinit është rezistenca e papërsëritshme në historinë e çlirimit të një kombi dhe është akti sublimues i gjithë përpjekjeve dhe sakrificave shekullore për lirinë e Kosovës, ka thënë presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Me rastin e 13-vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin, presidenti Pacolli i është drejtuar me një letër Hilmi Haradinajt, familjes Haradinaj, Avdyl Mushkolaj, udhëheqës i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Dukagjinit dhe anëtarëve të kësaj organizate.
“24 marsi është një datë që nuk njeh kohë, nuk njeh harresë, kjo ditë ka përjetësinë kudo në Kosovë. 24 marsi i Gllogjanit është harta e sakrificës, e dhimbjeve, e luftës, e rrugëtimit të shpëtimit të Kosovës, është ndër datat më të rëndësishme në historinë moderne të kombit tonë. Çdo Mars, ne bashkohemi për të rikujtuar luftëtarët dhe dëshmorët e Dukagjinit, ata janë në themelet e ëndrrave tona, në ëndrrat dhe lumturinë e të rinjve tanë, në mundin dhe djersën e punës së punëtorëve, në nderin dhe krenarinë e fëmijëve dhe familjeve kosovare”, thuhet në letrën e presidentit Pacolli.
Ndër të tjera, presidenti Pacolli ka thënë se është obligim ynë moral, kombëtar dhe shtetëror para historisë që shteti i Kosovës të qëndrojë mbi themele të shëndosha.
“Në emër të qytetarëve të Kosovës, ju shpreh konsideratat më të larta dhe përkulemi me nderim të lartë para sakrificës sublime të luftëtarëve të UÇK-së në rajonin e Dukagjinit. Është përgjegjësi legjitime që të vazhdojmë të ndërtojmë një shtet të mirëfilltë demokratik dhe të zhvilluar”, thuhet në letër.