Feith: Decentralizimi ka akoma punë

Nëse dëshirojmë që t’i bindim qytetarët në veri se decentralizimi është një propozim tërheqës, atëherë mënyra më e mirë është që t’i tregojmë arritjet e decentralizimit të suksesshëm në jug të lumit Ibër, si një model tërheqës i Kosovës moderne, ka thënë shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith.
Ai këto komente i bëri të mërkurën, pas takimit të Grupit Ndërministror për Decentralizimin, me ç’rast theksoi se decentralizimi po vazhdon të jetë një prioritet për Qeverinë e Kosovës dhe deri më tani është arritur shumë, pasi që të gjitha komunat e përmendura në Planin e Ahtisarit deri më tani janë krijuar dhe udhëhiqen nga komuniteti shumicë, përveç ajo e Mitrovicës së Veriut.
“Nëse ne dëshirojmë që t’i bindim qytetaret në veri se decentralizimi është një propozim tërheqës. Atëherë, mënyra më e mirë është që t’i tregojmë arritjet e decentralizimit të suksesshëm në jug të lumit Ibër, si një model tërheqës i Kosovës moderne. Pra, ka akoma punë për t’u bërë. Ne duhet të sigurojmë bartjen e plotë të kompetencave nga qeveria qendrore në nivelet lokale, ne duhet të sigurohemi se burimet e mjaftueshme janë në dispozicion për komunat e reja dhe duhet t’i informojmë qytetaret në veri për rëndësinë dhe përfitimet e decentralizimit si një vlerë e Evropës”, ka thënë Feith.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Sllobodan Petkoviq duke prezantuar planin e veprimit për implementimin e decentralizimit si dhe prezantimin e raportit të progresit të Grupit ndërministror për decentralizim, ka vlerësuar lart të arriturat e deritashme, duke thënë që duhet fokusuar me plane konkrete sa i përket veriut.
Plani i Veprimit për Zbatimin e Decentralizimit 2010-2011 ka për qëllim përmbushjen e gjashtë objektivave si reformimi i legjislacionit në pushtetin lokal, themelimi i komunave të reja, bartja e kompetencave dhe resurseve, ngritja e kapaciteteve të komunave në koordinim me donatorët, kontaktet me publikun për të komunikuar dobitë e decentralizimit dhe realizimin e reformave të pushtetit lokal në komunat veriore të Kosovës.