E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova e Maqedonia, marrëveshje për fushën e bujqësisë

Nga Express më 23 mars 2011 në ora 19:30

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave e Maqedonisë, kanë nënshkruar të mërkurën një memorandum bashkëpunimi për fushën e bujqësisë dhe për sektorët e ngjashëm.

Në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit të Kosovës në Maqedoni, ministri i Blerand Stavileci dhe homologu i tij maqedon, Lupço Dimovski kanë nënshkruar marrëveshjen me qëllim fuqizimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në veçanti në lëmin e bujqësisë.

Memorandumi në fjalë rregullon bashkëpunimin e ndërsjellë për shkëmbimin e informacioneve dhe analizave shkencore, për zhvillimin e shërbimeve këshillimore dhe shkëmbimin e rezultateve hulumtuese, për shkëmbimin e materialeve gjenetike dhe biologjike në prodhimin e bimëve dhe mbarështimin e kafshëve, për organizimin e trajnimeve, seminareve dhe konferencave profesionale.

Pastaj, bëhet e ditur se memorandumi mundëson realizimin e projekteve rajonale dhe zhvillimin e bujqësisë organike, për zhvillimin e turizmit rural dhe tregun bujqësor, për shkëmbimin e përvojave në fushën e politikave bujqësore, masave specifike dhe mbrojtjen e prodhimeve bujqësore, për mbështetjen reciproke në procesin e integrimit evropian, në kuadër të ministrive përkatëse, etj.

Për të zbatuar këtë marrëveshje bashkëpunimi do të formohet një komision, i cili do të hartojë një plan veprimi konform fushave të dakorduara për bashkëpunim dhe do të monitorojë procesin e implementimit.

Komisioni do të përbëhet nga gjashtë përfaqësues prej secilës palë, si dhe do të mbajë mbledhje të rregullta së paku dy herë në vit. Kohëzgjatja e marrëveshjes është 5 vite, me mundësi zgjatjeje automatike edhe për një periudhë tjetër 5 vjeçare, nëse njëra prej palëve nuk dëshiron të tërhiqet pas 5 viteve të para.

Dispozitat e kësaj marrëveshje nuk kufizojnë marrëveshjet tjera ekzistuese dhe as marrëveshjet e ardhshme ndërkombëtare që mund të nënshkruhen nga palët.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›