Putin mbështet dialogun Prishtinë-Beograd

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, ka mbështetur të mërkurën dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa është shprehur edhe një herë kundër pavarësisë së Kosovës.
Gjatë një konference për media në Beograd pas takimeve me presidentin e Serbisë Boris Tadiq dhe kryeministrin Mirko Cvetkoviq, Putin ka thënë se vendi i tij do të mbështesë Serbinë për përfundimin me sukses të procesit të dialogut, rrethi i parë i të cilit është mbajtur më 7 dhe 8 mars në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Mbështesim këtë proces dhe do të japim gjithë nga vetja që udhëheqësit serbë të përfundojnë me sukses këtë proces”, ka thënë Putin, duke shtuar se çdo bisedim është më i mirë se sa konflikti dhe se për këtë arsye Moska përshëndet dialogun.
Putin ka theksuar se Rusia “ka qenë dhe se do të mbetet aleate e Serbisë” për sa i përket çështjes së Kosovës dhe se qëndrimi i Moskës niset nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara.
Nga ana e tij, presidenti Boris Tadiq ka falënderuar shtetin rus për mbështetje në “ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Serbisë”.
“Temë e diskutimeve natyrisht ishte edhe Kosova. Ne presim edhe më tej mbështetjen e Rusisë kur është fjala për ruajtjen e integritetit territorial dhe Kosovës, Serbia asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk do të pranojë deklaratën e njëanshme për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në mënyrë as implicite dhe as eksplicite dhe ky qëndrim është i pandryshueshëm”, ka thënë Tadiq.