E Diel, 1 Nëntor 2026

Befasi nga prononcimet e Ambasadores Amerikane në Kosovë

Teqeja e Madhe Autoqefale Ballkanike (TMAB), si institucion i besimit dhe i kombit, me selitë në Gjakovë e Prizren, me shqetësim të thellë po i përcjell zhvillimet më të fundit ndërkombëtare për Kosovën, pas publikimit të dokumentit 6-pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun.

Spektri politik dhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës,në asnjë mënyrë të mos e pranojnë shtrirjen e EULEX-it në Kosovë me dokumente dhe propozime që thirren si burim i Rezolutës 1244 të OKB-së (1999). Shtrirja e EULEX-it në Kosovë nuk duhet të bëhet me dakordim të qeverisë së Serbisë dhe se korniza e mandatit të këtij misioni në Kosovë nuk duhet të jetë më e gjatë se dyvjeçare.

KS i OKB-së, për çfarëdo projekti tjetër për Kosovën, të diskutojë dhe nxjerrë rezolutë tjetër, konform rrethanave të reja të shtetësisë së Kosovës dhe që, në këtë rrafsh, Beogradi të mos jetë kurrfarë faktori.

Shprehim po ashtu, befasinë dhe papajtueshmërinë me prononcimet e Ambasadores Amerikane në Kosovë, të nderuarës znj. Tina Kaidanov, rreth dokumentit 6-pikësh të Ban Ki Munit, duke e vlerësuar qëndrimin e saj në shpërputhje me parimet e politikës amerikane në Kosovë dhe rajon dhe jashtë Pakos së Ahtisarit, këtij dokumenti, të cilin e kemi pranuar vetëm për shkak të pajtueshmërisë me politikën e SHBA-ve në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›