E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimi i guvernatorit dhe lobi serb në SHBA

Tri janë akuzat kryesore për guvernatorin e Ilinoisit, arrestuar dje. Akuza e parë është shpërblimi me postë, me tendera, me para të taksapaguesve amerikanë për persona, shërbime, kompani që jepnin kontribute financiare dhe shpërblime nën dorë për Bllagojevicin. Ai e kishte kthyer zyrën e Guvernatorit të Ilinoisit në një pazar të mirëfilltë shitblerjeje favoresh. I vetmi parim i tij dhe i klanit që e rrethonte dhe i shërbente, ishte “paguaj që të jesh në lojë”.

Përveç pasurimit të shpejtë me këtë skemë, Bllagojevic nuk la mjet pa përdorur që të fuste në dorë dhe të kontrollonte median. Gazeta “ChicagoTribune”, po falimentonte. Për ta shpëtuar këtë gazetë të njohur nga falimentimi, Guvernatori i Ilinoisit premtoi para dhe, në këmbim i kërkoi drejtorit financiar të saj, spastrimin e stafit të kësaj gazete nga të gjithë editorët që kishin kritikuar guvernatorin dhe politikën e tij të korruptuar. Në këtë mënyrë, ai shfrytëzoi postin e lartë për ta kthyer median në një zëdhënëse dhe reklamuese të tij personale, dukuri që vihet re edhe nga zyrtarët e lartë në Shqipëri.

Maja e akuzave kundër Guvernatorit Rod Bllagojevich, ishte fushata e tij e egër dhe përpjekjet e ethshme për të shitur sa më shtrenjtë postin e lënë bosh nga Senatori Barack Obama, pas zgjedhjes së tij në postin e lartë të Presidentit të SHBA-së. “Është një pasuri me vlerë të madhe, që kërkon vlera të mëdha”,- kishte deklaruar Bllagojevic në pazaret për ta shitur këtë post të rëndësishëm në Kongresin amerikan, sipas parimit korruptues, “kush paguan me shumë”, ka më shumë shanse për ta fituar atë, sikur të ishte prona dhe domeni i tij personal.

Kapja me presh në duar e guvernatorit të korruptuar të Ilinoisit nga FBI-ja amerikane, është një fitore e madhe e saj dhe e shtetit ligjor në SHBA, në luftën kundër korrupsionit. Por, ajo është edhe një sukses për diasporën shqiptare në SHBA, sidomos në shtetin e Ilinoisit. Arsyeja është se Rod Bllagojevic ishte maja e lobit serb, jo vetëm në këtë shtet, por edhe në mbarë SHBA-në. Ai gjithnjëë ka qenë përkrahësi më i zjarrtë i politikës së Beogradit kundër shqiptarëve të Kosovës. Për këtë arsye, arrestimi i tij është goditja më e madhe për lobin serb në SHBA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›