E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakot e fundvitit

Pavarësisht se Kosova ka shpallur pavarësinë që është njohur nga 85 shtete, propozimet për statusin vazhdojnë edhe më tej. Përfaqësuesi europian në Sarajevë, Valentin Inzko ka propozuar rastin e Tajvanit dhe Kinës, si model për Kosovën dhe Serbinë. Por ky propozim është hedhur poshtë nga autoritetet kosovare, derisa analistët thonë se edhe këto ide lidhen me problemin e Veriut.

Pas propozimit të Presidentit të Serbisë, Boris Tadic, edhe Përfaqësuesi i BE’së në Bosnjë, Valentin Inzko ka ofruar një ide të re për statusin e Kosovës.

Tadic kishte përmendur modelin i Irlandës Veriore, kurse Inzko ka sugjeruar shembullin e Tajvanit me Kinën, si formë të përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këto dy ide po qarkullojnë përderisa Veriu i Kosovës po vazhdon të jetë i bllokuar nga barrikadat e serbëve lokalë që nuk e njohin autoritetin e Prishtinës.

Por, zyrtarët e Qeverisë dhe institucioneve të tjera vazhdimisht e kanë mohuar mundësinë e diskutimit për statusin e Kosovës, me arsyetimin se shteti i ri është njohur nga 85 vende të ndryshme të botës dhe se ka një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare për ligjshmërinë e pavarësisë.

Megjithëkëtë, Përfaqësuesi europian në Sarajevë, Valentin Inzko vlerëson se modeli kinezo-tajvanez do të mund të ishte zgjidhje për çështjen e Kosovës.

“Rruga sipas shembullit të marrëdhënieve të Kinës me Tajvanin do të ishte e mundshme, kurse tashti nevojitet pragmatizmi. Shpërbërja e ish-Jugosllavisë ka përfunduar dhe shkëputje të mëtejshme më nuk do të ketë”, ka deklaruar Inzko për gazetën vjeneze, Kurir.

“Nga bashkëpunimi intensiv në të gjitha fushat, më së shumti interes do të kishin serbët në pjesën qendrore të Kosovës dhe kjo do të arrihej edhe pa njohjen formale të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”, ka shtuar ai.

Deklaratave të zyrtarit të BE’së në Bosnjë i është përgjigjur Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.

Ajo ka deklaruar se ide të tilla janë joreale dhe vijnë nga njerëz që nuk e njohin realitetin. Ka thënë se çështja e statusit është e përfunduar me shpalljen e pavarësisë.

“Për mendimin tim, këto ide janë jashtë realitetit, jo vetëm të Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, por edhe jashtë realitetit të Ballkanit në përgjithësi, sepse zhbërja e ish-Jugosllavisë ka përfunduar në momentin kur Kosova është bërë shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Tahiri për Express, të shtunën.

Sipas saj, idetë e tilla për statusin e Kosovës nuk kanë kurrfarë ndikimi, pasi gjithçka është e ditur.

“Këto propaganda nuk kanë kurrfarë ndikimi në atë se ç`është realiteti i ri i Ballkanit Perëndimor me shtatë shtete të reja si dhe nuk kanë kurrfarë ndikimi në edhe rreth Kosovës, edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor për t`i integruar sa më shpejt në bashkësinë euroatlantike”, ka thënë Tahiri.

Por, a mund të diskutohet në të ardhmen ndonjë ide e tillë?

Edita Tahiri thotë se diskutimet do të jenë vetëm në relacion të anëtarësimit të Shtetit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Çështja e statusit është kapitull i mbyllur dhe për këto çështje ne nuk diskutojmë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë. Ajo që ne po bëjmë tash, jemi duke zhvilluar dhe forcuar shtetin tonë të ri, si ne kuptimin e reformave europiane që ne si Qeveri jemi duke i jetësuar. Ashtu edhe në planin ndërkombëtar, po punojmë në njohjen e plotë nga bashkësia ndërkombëtare dhe anëtarësimin e saj në BE, NATO, OKB dhe institucione të tjera relevante”, ka shtuar ajo.

Sidoqoftë, analisti Shkëlzen Maliqi vlerëson se idetë e tilla po vijnë pikërisht për shkak të gjendjes në Veri të Kosovës dhe insistimit të Serbisë për atë pjesë.

Modelet që kanë ofruar Tadic dhe të Inzko, sipas Maliqit, janë të parealizueshme.

“Tajvani një ditë do të bëhet Kinë, pasi Pekini nuk e njeh këtë shtet. As Irlanda Veriore nuk mund të jetë model për Kosovën. Krejt kjo është e lidhur me Veriun, sepse Serbia nuk po dëshiron të lëshojë këtë pjesë të Kosovës”, ka deklaruar Maliqi.

Propozimet e fundit për Kosovën nuk janë të vetmet.

Më parë ishin përmendur edhe modeli i Tirolit Jugor, ai i dy Gjermanive, Hong –Kongut, por asnjëra nga këto ide nuk është pranuar nga Prishtina.

Procesi negociator për statusin e shtetit të ri ka përfunduar në Vjenë, pak kohë para se të shpallej pavarësia e Kosovës. Si rrjedhojë e negociatave për statusin, Martti Ahtisaari pati propozuar Pakon, në bazë të së cilës funksion shtetësia e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›