Egoja e Pacollit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli duket se mezi e ka pritur fundin e vitit, për t’i numëruar sukseset, që sipas tij, i ka arritur në fushën e lobimit.
Pacolli të shtunën ka mbajtur një konferencë për media, derisa në hotelin e tij të inauguruar së voni ka mbledhur edhe anëtarët e AKR’së, të cilën përsëri e drejton vetë.
I njohur për deklaratat kontradiktore, Pacolli ka thënë se krejt njohjet që i kanë ardhur vendit gjatë këtij viti, janë meritë e tij.
E, po ashtu, ka paralajmëruar edhe njohje të reja.
“Pos këtyre 13 njohjeve që kanë ardhur drejtpërsëdrejti me angazhimin tim prej kur jam në këtë Qeveri, duhet t’ju them se janë edhe dhjetëra njohje për të cilat është punuar shumë fuqishëm dhe ne ato i presim shumë shpejt. Unë kam besuar se dy apo tri nota verbale do t`i kemi për të cilat është bërë një hand-shake që quhet më është dhënë dora dhe fjala nga presidentët e tyre se kemi njohur Kosovën, por formalitetet dhe notat verbale që kanë ato janë duke u vonuar”, ka deklaruar ai.
Pacolli ishte emëruar në Zëvendëskryeministër nga Kryeministri Thaçi, pas largimit nga Presidenca e Kosovës, në mars të këtij viti, pasi Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se procedurat që janë ndjekur në Kuvendin e Kosovës, gjatë zgjedhjes së tij, nuk kanë qenë në pajtim me ligjin.
Ai ka rikujtuar këtë moment derisa ka folur se si është një person konstruktiv.
“Viti që filloi, e dini mirë, ishte vit me plot sfida. Ne të AKR’së ishim pjesë e saj. Unë personalisht isha në postin e presidentit për 35 ditë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese unë nuk hezitova, menjëherë u tërhoqa nga ai post dhe hidhërimin e lashë për dikën tjetër, padrejtësinë e lashë për dikë tjetër. Unë ashtu siç kam qenë gjithmonë konstruktiv, mendoja më larg sesa interesat personale ose partiake”, ka thënë kreu i AKR’së.
Si i emëruar i Qeverisë për çështje të lobimit dhe investimet e huaja, Pacolli nuk ka hezituar të përvetësojë meritat, sidomos për çështjet e lobimit.
Kjo nuk është parë me sy të mirë nga Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili po ashtu ka thënë se ka merita në çështjen e njohjeve.
Pacolli disa herë ka qenë në thumb të kritikave të ish –Ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, i cili në mënyrë të hapur e ka kritikuar atë duke thënë se nuk di të lobojë.
Por Pacolli duket se nuk i kanë bërë përshtypje kritikat.
Ai ka numëruar edhe suksese të tjera duke veçuar edhe Veriun dhe masat e reciprocitetit.
“Duhet ta falënderoj Kryeministrin që ka qenë gjithmonë konstruktiv për projektet e AKR’së dhe disa të tjerë e kanë kundërshtuar. Ne e kemi vendosur dhe është lëshuar urdhri për masat e reciprocitetit, kjo masë për të cilën e dini dhe vetë çka ka ndodhur. E kemi aktivizuar Veriun, e kemi futur nën juridiksionin e Kosovës, nën kontrollin tonë dhe jam i bindur se edhe këto barrikada që i kemi sot, do të likuidohen shumë shpejt dhe kjo pjesë do t`iu kthehet institucioneve të Kosovës”, është shprehur Pacolli.
Zëvendëskryeministri është lëvduar edhe për ministrat e Qeverisë që vijnë nga subjekti i tij politik duke thënë se ata kanë punuar mirë dhe se askush nuk mund t’i akuzojë ata për veprime korruptive në dikasteret ku kanë qenë të angazhuar.