E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katalog akuzash

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, akuzoi Kryeministrin Thaçi në përvjetorin e partisë së tij. Ai tha se PDK është përgjegjëse për keqqeverisjen, derisa rikujtoi edhe vjedhjen e votave. Mustafa tha se vendit i duhet një Kryeministër dhe kabinet qeveritar që respekton qytetarët.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka vazhduar polemikat me Kryeministrin Hashim Thaçi, duke bërë një varg akuzash në adresë të tij.

Dy udhëheqësit javëve të fundit ishin kursyer nga kritikat, por disa ditë më parë Kryeministri Thaçi ka hapur frontin duke akuzuar Mustafën për keqqeverisje në Komunën e Prishtinës.

Kjo kishte nxitur menjëherë reagimin e Mustafës, por ky i fundit ka shfrytëzuar përvjetorin e 22’ të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta goditur Thaçin.

Fillimisht Mustafa ka kujtuar vjedhjen e votave duke ia atribuuar këtë komplet PDK’së.

“Organet e zgjedhura nuk gëzojnë legjitimitetin e votës së qytetarit për arsye të abuzimit të votës dhe mbushjes industriale të kutive të votimit nga Partia Demokratike”, ka thënë ai.

“Ata që abuzuan votën, abuzojnë edhe pushtetin e me pushtetin. Kjo qeverisje karakterizohet me: mungesë të progresit, me papunësi masive, ekonomi të paqëndrueshme, qeveri e cila flet për korrupsionin, por korrupsionin e ushqen dhe nuk e lufton, qeveri e cila kontrollon mediet dhe pamundëson fjalën e lirë, qeveri e cila kontrollon kompanitë publike dhe pronën e tyre, qeveri e cila menaxhon keq paranë publike”, ka shtuar Mustafa.

Më pas kreu i LDK’së e ka cilësuar Qeverinë si më jotransparenten në Europë.

“Është kjo qeveri e cila e quan veten qeveri europiane, kurse i fyen me gjuhë rruge rivalët politikë. E vërteta është se Europa ka vërejtje të thella për një qeverisje të tillë dhe ajo nuk i pranon këto vlera si vlera të saj. Nuk i pranojnë as qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Duke folur për Kryeministrin Thaçi, Mustafa ka thënë se vendi e meriton një tjetër shef ekzekutivi.

“Ky vend meriton një kryeministër më të edukuar, të ditur, një kryeministër dhe një kabinet qeveritar që respektojnë njerëzit, qytetarët e tij”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, Qeveria ka krijuar klimë korruptive në institucionet dhe në ekonominë e vendit dhe se ajo po largon investuesit, derisa ka përmendur rastin e PTK-së.

“Punësimi politik në ndërmarrjet publike dhe tenderët e dyshimtë prej miliona eurosh, të bëra në to, sidomos ne KEK-u, i kanë dëmtuar rëndë kompanitë. Nuk janë sqaruar transaksionet ilegale me toka të privatizuara nga ana e bashkëpartiakëve në Malishevë e në komuna të tjera, të cilat tash po paguhen me miliona të qytetarëve të Kosovës, duke u shpronësuar për autostradë. Nuk sqarohet pse nuk ka investime të huaja direkte”, ka thënë Mustafa.

Ai më pas ka përmendur edhe Raportin e Progresit, duke thënë se vlerësimi kryesor që del aty ka të bëjë me mosfunksionimin e institucioneve të sundimit të ligjit, pastaj korrupsioni masiv si dhe politikat ekonomike të gabuara që, sipas Mustafës, e kanë shkatërruar perspektivën ekonomike të vendit.

Më pas Mustafa ka thënë se rruga e Kosovës drejt Europës duhet të udhëhiqet nga një parti që ka “duar të pastra”.

“LDK-ja ka integritet dhe fuqi të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të mundësojë që të funksionojë rendi dhe ligji në Kosovë”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›