Pacolli: do të respektoj vendimin e Kushtetueses
Në një intervistë për RTK-në Behxhet Pacolli deklaroi se është i gatshëm të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila dy ditë më parë rrëzoi zgjedhjen e Pacollit President, duke e lënë kështu Kosovën pa kryetar shteti. Edhe pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të publikohet i plotë vetëm sot, Pacolli u shpreh i gatshëm ta pranojë atë. “Do ta respektoj totalisht vendimin dhe unë do bëj ashtu sic është shkruar në vendimin që pres ta marr nesër. Gjykata Kushtetuese është e shenjtë dhe duhet të respektohet”, tha Pacolli. Pardje Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë Pacollin President, duke e shpallur zgjedhjen e tij më 22 shkurt të vitit 2011 në kundërshtim me nenin 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Vendimi ishte përgjigje e kërkesës së 34 deputetëve nga LDK dhe AAK, të cilët kërkonin opinonin e Gjykatës rreth procedurës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës Behxhet Pacolli. Sipas tyre në zgjedhjen e Pacollit ishin shkelur 4 nga 6 pikat e nenit 86.
Xhavit Haliti: Nëse Pacolli nuk ikën, ndërhyn Kuvendi
“Unë nuk di se cili është qëndrimi i Presidentit, a do të japë dorëheqje apo do t’ia lë Parlamentit të Kosovës që të merret me këtë çështje. Unë nuk mund ta detyroj askënd që ta paraqesë dorëheqjen, por në bazë të Kushtetutës, nëse ai nuk e paraqet dorëheqjen, atëherë Kuvendi duhet të ndërmarrë hapa konkretë”
Rrjedhoja e parë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas së cilës vendimi i Parlamentit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit është jo kushtetues, ishte ndryshimi i azhendës së zyrtarëve të lartë dhe anulimi i takimeve të parapara. Ende nuk janë dhënë hollësi rreth këtij vendimi, i cili zyrtarisht pritet që t’u dërgohet sot palëve të interesuara. Nuk ka pasur një reagim të kabinetit të Presidentit apo të partnerëve të koalicionit qeverisës, të cilët në paralajmërimet e deritashme kanë theksuar se janë të gatshëm të përballen me Gjykatën Kushtetuese. Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese nuk saktësohet se çfarë do të jetë rrjedhoja e këtij vendimi dhe nëse do të ketë një rivotim të Presidentit aktual apo duhet të zgjidhet një President i ri. Po ashtu, nuk dihet nëse presidenti Pacolli duhet të japë dorëheqjen apo duhet të shkarkohet. Nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, Xhavit Haliti, tha sot se të gjitha institucionet e Kosovës duhet të veprojnë në pajtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Unë nuk di se cili është qëndrimi i Presidentit, a do të japë dorëheqje apo do t’ia lë Parlamentit të Kosovës që të merret me këtë çështje. Unë nuk mund ta detyroj askënd që ta paraqesë dorëheqjen, por në bazë të Kushtetutës, nëse ai nuk e paraqet dorëheqjen, atëherë Kuvendi duhet të ndërmarrë hapa konkretë”, tha Haliti. Opozita ndërkaq e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Kosova nuk ka President dhe çdo vendim që është marrë gjatë kohës sa zoti Pacolli ishte në këtë post duhet të shfuqizohet. “Opsioni i Kuvendit është që të sillet një kandidat i ri apo i njëjti për zgjedhjen e tij, këto janë opsione kushtetuese. Opsioni i dytë është që të provohet të gjenden modalitete dhe zgjedhje tjera, qoftë për ndryshimin e formulave, apo për çka do qoftë tjetër dhe, në këtë rast, kemi afat 6 muaj. Do të thotë edhe 6 muaj do të kemi ushtrues të detyrës së Presidentit që do të jetë prapë zoti (Jakup) Krasniqi dhe pas 6 muajsh, nëse nuk gjejmë zgjidhje dhe nuk e zgjedhim Presidentin, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje të reja”, theksoi zoti Gjini. Rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë reaguar shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kethrin Eshton, dhe komisionari për zgjerim, Stefan Fyle. Në një komunikatë të përbashkët ata thonë se respektojnë vendimin e gjykatës më të lartë të Kosovës, ndërsa presin nga të gjitha palët të punojnë për një zgjidhje konstruktive dhe sipas procedurave të brendshme. Zgjedhja e Presidentit pasoi marrëveshjen ndërmjet Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Aleancës Kosova e Re, të presidentit Behgjet Pacolli për krijimin e koalicionit qeverisës. Kjo marrëveshje, e cila ka nxitur mospajtime edhe brenda Partisë Demokratike, është kundërshtuar nga opozita. Kjo është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese shqyrton çështje që kanë të bëjnë me Presidentin e vendit