E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehi tërhiqet: Nuk do të garoj për Bashkinë e Tiranës

TIRANË- Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, nuk do të garojë për postin e Bashkisë së Tiranës. Ai është tërhequr nga iniciativa e pak ditëve më parë, për të garuar për bashkinë më të madhe në vend. Arsyeja, sipas tij, lidhet me atë çfarë parashikon Kodi Zgjedhor. “LZHK për kandidat për kryetar nuk është regjistruar në Tiranë. Jemi regjistruar vetëm për listën e këshilltarëve”, - tha dje Shehi, në një intervistë televizive, duke sqaruar se vetëm për të garuar në Tiranë, atij i duheshin 5100 qytetarë që t’i drejtoheshin kryetarit të KQZ-së përmes një deklarate, se duhet të mbështesnin kandidaturën e tij. Megjithatë, kryetari i LZHK-së njoftoi se forca që ai drejton do të garojë në 30 zona të tjera për kryetarë bashkish dhe komunash. Shehi nuk specifikoi, nëse votat për LZHK-në në Tiranë do të shkonin për Lulëzim Bashën, edhe pse një gjë e tillë mund të merret me mend, sa kohë që vota për LZHK-në është një votë e djathtë, që parimisht nuk mund të shkojë majtas. Nga llogaritë paraprake rezulton se fuqia elektorale e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar mund të jetë përcaktuese për ekuilibrat e kryeqytetit. Referuar zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe koalicioneve që garuan, përfshirë ndryshimet më të fundit, rezulton se koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste mori më 28 qershor 2009, saktësisht 121 543 vota ndërsa sëbashku me partitë që ju bashkuan, pas 28 qershorit, do të arrinte afro 124 156 vota. Në krahun tjetër, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike, në përbërje të të cilit ishin 16 forca politike, grumbulloi 106 643 vota, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Lëvizja Socialiste për Integrim, duke zbritur votat e PSV91 dhe Partisë së Gjelbër, që kaluan në opozitë, rezulton të ketë 13 677 vota. Aleanca e dy koalicioneve respektive të PD dhe LSI do të çonte në një numër total prej 120 320 votash në Bashkinë e Tiranës, përballë 124 156 të tilla të opozitës, një diferencë e ngushtë kjo, çka e bën të domosdoshme futjen në lojë edhe të votave të LZHK-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›