Gjinushi e Milo të pakënaqur me listën e opozitës
Një pjesë e mirë e aleatëve të Partisë Socialiste kanë mbetur të pakënaqur nga ndarja e “tortës” së bashkive dhe komunave në kuadër të zgjedhjeve të 8 Majit. Megjithëse jo të gjithë pranojnë të flasin hapur lidhur me pakënaqësitë, qejfmbetja te disa nga aleatët tradicionalë të socialistëve është tepër e lartë. Njëri prej tyre është edhe kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi, i cili duke i konsideruar të papërfillshme zonat që PS i ka lënë të lira për të kandiduar me kandidatët e tij, me ironi shprehet se PSD në këto zgjedhje do të garojë vetëm për anëtarë të këshillave bashkiak dhe komunal. Burime nga PS bëjnë të ditur se PSD ka marrë rreth 4 deri në 5 komuna si zona të lira, nga të cilat jo të gjitha të sigurta për t’u fituar. “Gjithnjë partitë e mëdha kanë tendencën të tërheqin nga vetja. Megjithatë, ne nuk e kemi pasur këtë qëllim në vetvete dhe meqë kryetarët lidhen më drejtpërdrejt me karrigen dhe populli thotë që partitë luftojnë për karrige, atëherë ne këtë radhë po luftojmë më shumë për këshilltarë, të cilët i kanë karriget në seri, jo kështu personale”, - u shpreh Gjinushi dje për mediat. Ndërkohë pakënaqësi duket se ka edhe PDS, e cila ka mundur të marrë vetëm tre njësi vendore si zona të lira nga PS dhe më konkretisht Bashkinë Roskovec ku konkurron me Albert Tafën; Komunën Farkë, ku ka kandiduar Besim Oruçin; dhe Komunën Gjinar, me Gani Hidajn. Të vetmet aleate që kanë dalë të fituara nga procesi i negociatave kanë qenë PBDNJ e Vangjel Dules, e cila ka marrë plotë 9 komuna me popullsi minoritare në Jug, si zona të lira; si dhe PDK e Nard Ndokës, e cila ka siguruar një sërë bashkish të dorës së tretë, si Velipojën, Shëngjinin, Ulzën si dhe komunat Kthellë apo Lukovë. Ndërkohë që të gjithë aleatët e tjerë duket se kanë negociuar dhe marrë vetëm vende të lira në listat e PS-së për anëtarë të këshillave bashkiak apo komunal.